Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së Bedri Hamza ka mbajtur një tubim masiv me mijëra veteranë të UÇK-së, duke thënë se ata janë ndërgjegjja e Kosovës dhe vlera që i flet secilës gjeneratë.
Hamza u ka thënë veteranëve se ata nuk luftuan vetëm për pragun e shtëpisë, por për drejtësi, barazi dhe dinjitet për të gjithë qytetarët e vendit.
Hamza: Asnjë luftëtar i lirisë kurrë nuk do të jetë vetëm, as këtu dhe as në Hagë
“Historia jonë nuk mund të rishkruhet. E përsëris nuk mund të rishkruhet nga askush, ju nuk luftuat vetëm për pragun e shtëpisë, por për drejtësi e dinjitet për të gjithë qytetarët e vendit... Kosova do të jetë përjetësisht mirënjohëse ndaj jush...Ju qëndroni përjetësisht si shtyllë e shtetit që kemi sot. Asnjë luftëtar i lirisë kurrë nuk do të jetë vetë, as këtu dhe as në Hagë...Besojmë fuqishëm se shumë shpejt festave tona do t’iu shtohet hijeshia edhe me presidentin Thaçi, kryetarin Veseli, bacën Jakup, Rexhën dhe gjithë bashkëluftëtarët e tyre...”, ka thënë Hamza.
Hamza ka thënë se përkrahja për familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e UÇK-së do të rritet 50 për qind.
Hamza: Veteranët më nuk do të kenë kufizime
“Familjarët e dëshmorëve nuk do të zgjedhin më në mes pensionit të moshës dhe atij të dëshmorit, por do t’i marrin të dyja... Veteranët më nuk do të kenë kufizime, por do të kenë mundësi të punojnë dhe t’i marrin edhe të ardhurat mujore nga shteti”, ka thënë Hamza.
Një fjalë rasti ka mbajtur edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku, i cili ka thënë se PDK-në me veteranët përherë do t’i bashkojë Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).
Çeku: Thaçin e Veselin me bashkëluftëtarë shumë shpejt do t’i kemi pranë nesh
“Kjo prezencë e juve në këtë numër kaq të madh tregon se sa e fortë dhe e fuqishme është lidhja jonë me Partinë Demokratike të Kosovës. Nuk është e rastësishme që themeluesit e UÇK-së janë edhe themeluesit e PDK-së. Ndërsa themeluesit e UÇK-së dhe themeluesit e PDK-së janë themeluesit e shtetit tonë... Ne qytetarët sa herë që takohemi, edhe në numër më të vogël, flasim edhe për të kaluarën tonë të lavdishme, flasim për shtet, flasim për liri, flasim për PDK, por pashmangshëm flasim edhe për protagonistët kryesorë të këtyre zhvillimeve historike që kanë ndodhur dhe ata janë Hashim Thaçi e Kadri Veseli dhe bashkëluftëtarët e tjerë që janë sot në Hagë. Ata po na mungojnë shumë, po i mungojnë familjes, PDK-së, po iu mungojnë të gjithë neve, po i mungojnë Kosovës. U bën më shumë se katër vjet që nuk janë në mesin tonë, por ata janë në një betejë duke mbrojtur luftën tonë, duke mbrojtur UÇK-në dhe duke besojmë fuqishëm se shumë shpejt do t’i kem pranë nesh”, tha ai.
Çeku tha se askush nuk i ka promovuar më shumë vlerat e UÇK-së se sa PDK-ja si mburojë i vlerave kombëtare. Ai ka kërkuar që fuqishëm të mbështetet PDK-ja dhe Bedri Hamza kryeministër për një Kosovë më të mirë.
Në këtë tubim u shfaq edhe një video “Një histori dashurie për Kosovën” kushtuar ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen padrejtësisht në Hagë.