Shtyhet seanca për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt - kjo është arsyeja

Aktuale

Shtyhet seanca për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt - kjo është arsyeja

Më: 27 janar 2025 Në ora: 06:52 Përditësuar në ora: 11:52 më 27.01.2025
Naim Murseli sillet me duar të lidhura në gjykatë

Shtyhet seanca fillestare ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

Seanca fillestare për katër të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt është shtyrë për 31 janar, në orën 11:00, pasi ekipet mbrojtëse thanë se nuk kanë pranuar shkresat e lëndës dhe nuk ka kushte për mbajtjen e kësaj seance sot.

Gjykatësja i paralajmëroi avokatët që në këtë datë të re të jenë të përgatitur.

Në Gjykatën Themelore, avokati i të akuzuarit, Naim Murseli, tha se kjo seancë nuk mund të mbahet, pasi pretendoi se nuk ka pranuar aktakuzën, shkresat e tjera të lëndës dhe CD-të me prova për këtë rast.

Ai tha se nuk është në gjendje që ta këshillojë klientin e tij as si të deklarohet për akuzat e as nuk mund t’i kundërshtojë provat.

“Për mua nuk janë plotësuar kushtet që të mbahet kjo seancë”, tha ai.

Por, prokurorja e rastit tha se shkresat, CD-të dhe aktakuzat janë dorëzuar më 22 janar te njëri nga avokatët e të akuzuarve.

Avokatët e të akuzuarve Kushtrim Kokalla dhe Tom Dedaj, thanë po ashtu se s’kanë marrë shkresat pasi nuk po iu bënë emaili. Ata gjithashtu kërkuan shtyrjen e seancës.

Avokati i të akuzuarit, Kushtrim Kokalla, u dënua me 500 euro për prishje të rendit në seancës, mosbindje ndaj gjyqtares.

Në seancë të pranishëm ishin tre persona të akuzuar për këtë rast, përfshirë edhe bashkëshortin e Liridonës, Naim Murseli.

Fillimisht gjykatësja pyeti të akuzuarit për informacionet e përgjithshme, sikurse datëlindja e tyre, statusi martesor, niveli i arsimit, gjendja ekonomike e të ngjashme.

Para nisjes së seancës së sotme - që u shty nga gjykatësja e rastit - familja e Liridonës tha se beson në drejtësi dhe shpreson që gjykimi të jetë “efikas, profesional, pa gabime, pa vonesa dhe transparent”.

Naim Murseli sillet me duar të lidhura në gjykatë

Ish-bashkëshorti i Liridona Ademajt, Naim Murseli i cili akuzohet për vrasjen e saj është sjellur me duar të lidhura në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Po ashtu me duar të lidhura janë sjellur edhe dy të akuzuarit tjerë për këtë vrasje Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava.

Seanca pritet të fillojë nga ora 11:00.

Prokuroria Themelore e Prishtinës më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë, pas një viti për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

-------

Sot do të fillojë gjykimi për rastin e vrasjes së Liridona Adema

Kështu ka bërë të ditur vëllai i saj, Leonard Ademaj përmes një postimi në Facebook, duke thënë se si familje, besojnë në drejtësi.

“Ju njoftoj që gjykimi i rastit të vrasjes dinake të motrës tonë Liridona Ademaj fillon në ora 11.00 në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ne si familje besojmë në drejtësi dhe shpresojmë që gjykimi do të jetë efikas, profesional, pa gabime, pa vonesa dhe transparent”, ka shkruar ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat