Në një postim të fundit në Facebook, aktori dhe shkrimtari Çun Lajçi sjell një satirë të fuqishme mbi debatin politik në Kosovë. Me ironi dhe humor të hollë, ai shigjeton premtimet e zbrazëta dhe propagandën që mbizotëron në skenën politike. Përmes një rrëfimi që ndërthur jetën e përditshme dhe zhgënjimin e thellë me liderët aktualë, Lajçi nxit reflektim mbi drejtimin e vendit dhe çfarë duhet të ndryshojë për të sjellë progres të vërtetë.
Teksti i plotë i postimit të Çun Lajçit:
Ave Cezar! Ave Albin, Ave Bedri, Ave…!
E kishte marrë gjumi në kolltuk. Dritat i kishte fikur e shoqja kur ishte shtrirë në dhomën e gjumit. Atë e kishte lënë para televizorit që zhurmonte nga analistët politikë. Tani gërrhiste, me kokën rënë mbi gjoks. Edhe syzet kishin përfunduar n’dysheme. Kishte përcjellë debatuesit deri vonë – njerëz që dinë të zhurmojnë, por jo të debatojnë. Analistë pa argumente, që flasin e flasin, deri sa dejt t'ua shëmtojnë qafat.
Njerëz që s’dinë ta analizojnë vetveten, por që flasin për filanin e partisë me emër të madh, për partinë e rrugëve të mëdha, apo për atë të betejave të përgjakshme të një lufte ende të pambyllur.
Gërrhiste ky dhe zhurmonte televizori. Debatet kishin përfunduar. Tani po shfaqej një film horror, i shoqëruar me efekte trishtuese.
Një efekt bubullime, një piskamë gruaje, nga thika që po i ngulej në zemër, n’filmin horror, e zgjuan nga gjumi. Foli diçka, por fjalët e tij mbetën të pakuptueshme, sepse ishte ende i tronditur nga efektët e filmit. Nga dhoma e gjumit u dëgjua e shoqja:
– Eja shtrihu, se po gëdhihet!
– S’më merr gjumi, – iu përgjigj prerazi. – Këta edhe dëshirën për jetë ta marrin! Këta të lënë me merak: kush po fiton? Kush po i mbush më shumë sallat sportive? Kush po bëhet Kryeministër? Kë po e don Amerika e kë po e don Evropa?
– Liderët s’pjerdhin për neve! S’mërziten nëse kemi apo s’kemi oreks për dashuri nate!
Këtyre iu duhen salla të mbushura plot me zhurmues, me daulle, me flamuj, me brohoritje:
“Ave Cezar! Ave Albin! Ave Bedri, Ave Lumir!"
Ramushin se bëjnë hesap se ai mbahet n'kërrabën e Fatmirit e për krraba s’ka Ave.
Këta mashtrojnë duke rrahur gjokset me grushta:
- Unë do ta bëj Kosovën shtet sovran, cep më cep!
- Unë do ta fus Kosovën në NATO!
- Unë do ta fus Kosovën në Shtëpinë e Bardhë!”
Sa shumë qeshi në dhomën e errët atë natë. Qeshi dhe bërtiti:
– Unë do ta fus Kosovën në thes e ta çoj në Bruksel!
Merreni, – do t’u them, – shprisheni me gërhanë si leshin, se shllungë e kanë bërë liderët për hesapet e veta!
Këta s'kan fytyra. Kan lëkura që u ndrrohen sa herë të bie mjegulla mbi përroje! Këta s’pjerdhin për popullin, por për votat që do t’ua legjitimojnë hajnitë edhe për katër vite!
Në mëngjes, kur doli për kafe, komshiu i tha:
– Mbrëmë ke folur jerm! Ruhu nga ataku në zemër.
27.01.2025