Mbi 16 mijë euro gjobë të shqiptuara nga PZAP ndaj Listës Serbe, LDK-së, AAK-Nisma e Koalicionit për Familje

Aktuale

Mbi 16 mijë euro gjobë të shqiptuara nga PZAP ndaj Listës Serbe, LDK-së, AAK-Nisma e Koalicionit për Familje

Më: 28 janar 2025 Në ora: 15:09
Foto ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar gjashtë ankesa në PZAP, dy prej të cilave për Listën Serbe, dy për koalicionin AAK-Nisma dhe të tjerët, një për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe një ndaj Koalicionit për Familjen.

Të gjitha këto ankesa, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i ka pranuar si të bazuara, pasi që është konstatuar se ka pasur shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.

Më 24 janar, LVV dorëzoi në PZAP dy ankesa ndaj Listës Serbe, e cila u dënua me 4 mijë euro për shkak të vendosjes së banerave/posterave në hapësirat publike në Komunën e Leposaviqit.

E njëjta sipas vendimit të PZAP-së, obligohet që gjobën ta paguaj në afat prej 15 ditësh.

Ankesa tjetër e LVV-së ishte ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila është dënuar me 3 mijë e 500 euro, për shkak se kandidatja për deputete e kësaj partie Arjeta Salihu Abazi ka vendosur banerat/posterët në qendrën e qytetit të Podujevës në rrugën “Zahir Pajaziti”.

PZAP e ka pranuar si të bazuar ankesën e LVV-së ndaj koalicionit AAK-Nisma dhe të tjetër për shkelje të Kodit të Mirësjelljes, dhe e njëjta është dënuar me 3 mijë e 700 euro gjobë.

Ankesa kishte të bënte për vendosjen e posterave të kandidatit Nuredin Lushtaku në hapësirat publike, konkretisht në një ndërtesë të banimit kolektiv në sheshin e Skenderajt.

Ankesa tjetër ndaj po të njëjtit koalicion gjithashtu kishte të bënte me vendosjen e posterave në hapësirat publike nga kandidatët Albana Bytyqi dhe Driton Maliqi. Për këtë shkelje PZAP i ka shqiptuar gjobë prej 3 mijë e 500 euro koalicionit AAK-Nisma.

Edhe Koalicioni për Familjen është dënuar nga PZAP me 1 mijë e 500 euro, pas ankesës së dorëzuar nga LVV.

Ankesa është dorëzuar në lidhje me vendosjen e posterit nga kandidatja për deputete e këtij koalicioni, Dorontina Kokollari në hapësirë publike në rrugën “Xhavit Bajraktari” në Suharekë. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat