​“Akademik Dushi la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Trepçës dhe Mitrovicës”

Aktuale

​“Akademik Dushi la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Trepçës dhe Mitrovicës”

Më: 28 janar 2025 Në ora: 16:36
Foto nga vendi i ngjarjes

Familjarë, kolegë, politikanë, profesorë, si dhe shumë qytetarë, i dhanë të martën lamtumirën e fundit profesorit Minir Dushi i cili vdiq një ditë më parë. Ata bënë homazhe para arkivolit të tij në Shtëpinë e Kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë.

Për ta nderuar akademik Dushin, homazhe bëri edhe ish-drejtori i minierës me flotacion Trepça, Burhan Kavaja, i cili veç tjerash, të ndjerin e quajti patriot dhe burrë i cili me 18 vepra të shkruara mban vendin e parë në Akademinë e Kosovës.

Kavaja: Akademik Dushi, patriot dhe bujar

“Ai ishte patriot, mësimdhënës, bujar, por mbi të gjitha burrë i cili me 18 vepra të shkruara mban vendin e parë në Akademinë e Kosovës…Ka kontribuar në masë të madhe në punësimin e shqiptarëve në objektet industriale të Trepçës. Kontributi i tij i madh është edhe në krijimin e Institutit, posaçërisht të Fakultetit të Mitrovicës…Ai mbahet mend edhe si inxhinier i cili në gjuhën shqipe ka ligjëruar i pari në Kosovë, në pjesën industriale të Mitrovicës”, ka thënë Kavaja.

Akademik Fejzullah Krasniqi, ish-koleg i Dushit, tha se veprën të cilën e ka lënë profesori, e bënë atë të pavdekshëm.

Krasniqi: Dushi ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për shkencën në Kosovë

“Njeri i veçantë i cili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për shkencën në Kosovë, në veçanti për shkencat e tokës, miniera. Inxhinieri dhe doktori i parë i shkencave teknike…Veprën që ka lënë profesori Minir, e ka bërë atë të pavdekshëm”, theksoi Krasniqi.

Ndërkaq, Bajram Mustafa, qytetar nga Mitrovica, njëherësh mik i profesorit të ndjerë, potencoi se akademik Dushi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Trepçës dhe Mitrovicës.

“Një njeri që vërtetë ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Trepçës dhe Mitrovicës, por edhe të mbarë Kosovës e Shqipërisë”. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat