Kandidati i LDK-së për deputet, Fadil Hadergjonaj ka treguar arsyet që e çuan t’i bashkohej LDK-së.
Ai u shpreh se ka shumë arsye, derisa rrëfimin për rrugëtimin e tij e nisi duke thënë se që nga viti 1998, ka qenë në kuadër të institucioneve të Kosovës, që siç u shpreh, në atë kohë janë udhëhequr nga LDK-ja.
“Ka shumë arsye, por besoj se rrugëtimi im që nga viti 98 ka qenë në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës, që në atë kohë janë udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës”
“Gjatë gjithë kohës së operimit tim si ushtar i Kosovës, në kuadër të atyre formacioneve kam qenë idhtar i institucioneve të Republikës së Kosovës, pastaj unë kam vazhduar të jem ushtarak deri në pensionimin tim, jam marrë kryesisht me punë profesionale në kudër të TMK-së dhe FSK-së me mandat civil dhe së fundmi edhe të FSK-së me mandat ushtarak dhe ajo ka qenë arritja më e madhe jetësore, kur ti investon një jetë të tërë si një ushtarak, me synim dhe qëllim kryesor arritjen e krijimit të Ushtrisë së Kosovës edhe e kam pasur fatin që të jem pjesë e disa projekteve jetike të cilat edhe e kanë shtyer këtë proces përpara”, u shpreh ai.
Hadergjonaj foli edhe për karrierën e tij ushtarake, duke thënë se ka qenë i përmbushur, sepse e ka mbyllur me gradën gjeneral.
“E kam përmbyllur karrierën ushtarake bazuar në ligjet e aplikueshme për Forcën e Sigurisë së Kosovës në maj të vitit 2021 dhe kam qenë i përmbushur edhe profesionalisht, sepse e kam mbyllur me gradë gjenerali që është ëndërr e çdo ushtaraku në karrierën e vet dhe kemi arritur t’a krijojmë ushtrinë me mandat, mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës”, tha Hadergjonaj.