Kandidati për kryeministër nga koalicioni për “Kosovën Fituese”, Ramush Haradinaj në tubimin elektoral në Istog e ka quajtur kryeministrin aktual, Albin Kurti “mashtrues”.
Haradinaj u bëri thirrje që mos ta votojnë istogasit qeverinë aktuale, pasi siç tha ai “do të mbeten të izoluar së paku 30 vjet”. Ai po ashtu theksoi se kur kishin folur si AAK për dyfishimin e pagave në fillim janë ‘trembur’ të gjithë.
Para shumë simpatizantëve, Haradinaj u zotua për rritje të pagave, anëtarësimin në NATO dhe sigurimin e furnizimit të rregullt me energji elektrike.
Haradinaj: Cili është qëllimi i këtij mashtruesi? A iu ka treguar pash Zotin?
“Cili është qëllimi i qeverisë që po shkon ose i këtij mashtruesi? Pse ai po e kërkon votën e juaj? A iu ka treguar pash Zotin? I ka bërë pesë vjet, pesë buxhete. A ka ardhur në Istog të iu tregojë se cilat punë i ka kryer për ju? Kur kemi folur ne për dyfishim të pagave në fillim janë trembur krejt. Tani e kemi parë që na kanë zënë gati, ia kanë nisur me 50 me 70 për qind. Edhe pak kanë me thënë 100 për qind që i bie dyfishim...Po i bëjnë nga 2 deri në 3 kilometra (rrugë) në katër vjet. Në këtë kohë, nëse i jepni votën atij, Istogu mbetet në qosh, i izoluar së paku 30 vjet...Unë kur kam qenë në luftë thosha ‘Ta kisha pasur një armë që gjuan më larg’. Se me Serbinë ata gjuajshin më larg. Me hy në NATO Kosova i ka edhe armët nukelare, bombat atomike, e ka aviacionin më të mirë në botë. I ka ekonomitë më të forta se është pjesë e tyre dhe demokracitë e tyre. Nëse hyjmë në NATO, kuptohet që Serbia a mundet pa të njohur më, ku ka të shkojë, s’ka ku e shtynë më shumë”, tha ai.
Kryetari i AAK Haradinaj potencoi po ashtu se nëse ai do ta qeverisë vendin, në vitin e tretë të mandatit do ta ulë çmimin e energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës.
Haradinaj: Mundem edhe më shpejtë por në vitin e tretë të qeverisjes do ta uli çmimin e energjisë
“Dy herë na ka rritur çmimin (e energjisë). Në të tretin vit, nëse e udhëheqë qeverinë e uli çmimin e energjisë në të tretin vit. Mund ta uli më shpejtë por pak, veç me ua ulë këto tregtitë që po i bëjnë me dostat e tyre. Në të tretin vit iu siguroj që do ta ulë çmimin e energjisë që prodhojmë në Kosovë”, u zotua Haradinaj.
Ndërkaq,kandidati për deputet dhe njëkohësisht kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj pushtetin aktual e quajti “xheloz” që sipas tij po merren me mashtrime dhe shpifje.
Ai iu drejtua qytetarëve të Istogut duke u thënë se për katër vite qeveria e Kosovës sipas tij i ka ofenduar duke mos investuar asgjë në këtë vend.
Limaj: Pushteti aktual xheloz, e kanë kompleksin e të kaluarës
“Tash e katër vite iu keni ekspozuar mashtrimit e shpifjes. Në fakt, edhe sot po vazhdon mashtrimi dhe shpifja. Akuza e shpifje nga ata që kurrë s’kanë bërë asgjë për vendin e tyre. Ata që s’kanë asnjë vepër për t’ia prezantuar qytetarit. Ata që s’kanë asgjë për t’i ofruar qytetarit të Kosovës. Ata të cilët janë xheloz e kanë kompleksin e të kaluarës. Se kur ishte koha as nuk guxuan të rreshtohen e as nuk ditën t’i shërbejnë atdheut…1 milion arsye i keni për t’i dënuar ata që kanë qeverisur për 4 vjet. Çka bënë ata 4 vjet për ju? Çka bënë për Pejën, Istogun e Klinën. 4 vjet iu kanë ofenduar, iu kanë fyer duke mos investuar asgjë në këtë zonë piktoreske. Mos lejoni të testohet ky vend këtu, bashkone votën, aty ku ka fituar…Nëse nuk doni ta vononi zhvillimin e vendit tuaj ngrituni në këmbë Istog, familje për familje rreshtohuni për Kosovën Fituese”, tha Limaj.
Kandidati për deputet nga Istogu, Bekë Berisha ‘thumboi’ pozitën duke thënë se “nuk thërrasin për vota për të punuar kundër sistemit të drejtësisë”.
Berisha: Ne nuk tolerojmë tiketa përmbi plagë të lirisë
“Ne nuk thërrasim për vota për të punuar kundër sistemit të drejtësisë, prokurorisë dhe institucioneve të ligjit. Ne nuk duam t’ia konfiskojmë pasurinë askujt dhe ne jemi aleatë për një shtet të së drejtës. Ne nuk tolerojmë tiketa përmbi plagë të lirisë. Ne nuk i dëmtojmë bizneset por i përkrahim ato”, u shpreh Berisha.
Fushata për zgjedhjet e 9 shkurtit ka nisur më 11 janar. Në zgjedhjet parlamentare, të cilat mbahen për herë të parë si të rregullta pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, konkurrojnë 28 subjekte politike.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 970 mijë e 944, ndërkaq numri i atyre të regjistruar për të votuar jashtë Kosovës 104 mijë e 924.
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt 2021.