Përfaqësuesi i BE-së në largim për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, deklaroi se BE-ja synon të rifillojë bisedimet në nivel liderësh pas zgjedhjeve në Kosovë dhe se BE-ja po përgatit propozime për të dyja palët në një proces që do të udhëhiqet nga kreu i diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, me ndihmën e Peter Sorensen, i cili u emërua pasardhës i Lajçakut.
Lajçak i pyetur se në çfarë gjendje është sot dialogu Kosovë-Serbi dhe normalizimi i marrëdhënieve në krahasim me pranverën e vitit 2020, kur filloi mandati i tij, tha se dialogu është në gjendje më të mirë se atëherë, por se normalizimi i marrëdhënieve nuk ka përparuar.
Ai deklaroi për RTS se në prill të vitit 2020 nuk ka pasur dialog, se nuk ka pasur dialog që nga viti 2018 dhe se detyra e tij e parë ka qenë ta kthejë në jetë dialogun dhe se kjo ka ndodhur shumë shpejt, me takimin e parë të liderëve në korrik të atij viti.
“Deri më sot kemi pasur 14 takime në nivel të liderëve dhe 31 në nivel të kryenegociatorëve. Kam vizituar 28 herë Beogradin dhe po aq herë Prishtinën. Gjithashtu kemi pasur takime të shumta me liderë në kuadër të takimeve ndërkombëtare. Kemi prapa pa vetes rezultate konkrete: zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur, një zgjidhje për situatën e energjisë në veri të Kosovës, udhëtimi me letërnjoftime”, tha Lajçak.
Sipas mendimit të tij, rezultati më i rëndësishëm është Marrëveshja e Ohrit në rrugën drejt normalizimit.
Lajçak tha se megjithëse dialogu është në një gjendje shumë më të mirë se para fillimit të mandatit të tij, normalizimi nuk është, duke përmendur si arsye krizat e shumta.
Duke iu përgjigjur pyetjes se cila është arsyeja kryesore pse Kosova dhe Serbia nuk e kanë zbatuar marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, Lajçak tha se është mungesa e besimit mes dy palëve në dialog dhe mungesa e besimit që, nëse njëra palë e zbaton çfarë kërkohet prej tyre, do të marrin atë që u është premtuar.
“Nga ana tjetër, më duhet të pranoj se asnjëra palë nuk kishte besim se BE-ja kishte një ofertë tërheqëse për ta që duhet të ndiqej nëse ata bënin pjesën e tyre të punës. Kjo duhet të ndryshojë në fazën tjetër,” tha Lajçak, duke shtuar se dialogu është absolutisht i lidhur me rrugën evropiane.
Në pyetjen nëse çelësi i dështimit në zbatim është fakti se 12 vjet pas marrëveshjes për formimin e Asociacionit, ai ende nuk është formuar, për të cilën insiston Beogradi, dhe se nga ana tjetër, kundërshtimi i Prishtinës është se Marrëveshja nuk u nënshkrua kurrë, Lajçak tha se një përkeqësim i fortë i atmosferës ndodhi shumë shpejt pas Ohrit.
Ai ka thënë se Marrëveshja e Ohrit ka qenë në mars (2023), kurse në prill ka pasur zgjedhje lokale në Kosovë, në të cilat serbët nuk kanë marrë pjesë, se më pas në maj ka pasur sulme ndaj KFOR-it dhe protesta në Zveçan, pastaj masat e BE-së ndaj Kosovës dhe ngjarjet në Banjskë.
“Kjo e përkeqësoi aq shumë atmosferën dhe besimin sa që nuk ishte e mundur të mbahej një takim në nivel të liderëve”, tha Lajçak.
Sipas Lajçakut, dialogu ka humbur vrullin vitin e kaluar si rezultat i përshkallëzimeve që nga prilli dhe maji 2023.
“Nga njëra anë dhuna dhe nga ana tjetër lëvizjet e njëanshme të qeverisë së Kosovës, shuarja dhe mbyllja e institucioneve të financuara nga Serbia që ofrojnë shërbime për serbët në Kosovë, e gjithë kjo duhet të ndodhë në kuadër të dialog, jo në mënyrë të njëanshme”, theksoi Lajçak.
I pyetur se çfarë e pret pasardhësin e tij, Sorensen, Lajçak tha se BE-ja po përgatitet të fillojë bisedimet në nivelin më të lartë pas zgjedhjeve në Kosovë.
“Përfaqësuesja e re e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaia Kallas, ka thënë qartë se do të jetë e përfshirë drejtpërdrejt dhe se dëshiron ta udhëheqë procesin. Po përgatitet një qëndrim i BE-së, një propozim për të dyja palët. Sigurisht se për këtë nuk mund të flas në mënyrë të detajuar tani”, tha Lajçak.
Duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë ndikimi do të ketë administrata e re e presidentit amerikan Donald Trump në dialog, ai tha se është e qartë se ‘Trump 2’ është ndryshe nga ‘Trump 1’, se puna është shumë më mirë e organizuar dhe se njerëzit e dinë se çfarë duan të arrijnë.
“Është e rëndësishme të vendosen kontakte në nivel të BE-së dhe SHBA-së sa më shpejt të jetë e mundur dhe të arrihet një marrëveshje për një qasje të përbashkët ndaj Ballkanit Perëndimor, ku BE-ja duhet të udhëheqë, për arsye objektive, por të jetë në gjendje të mbështetet në përkrahjen mirëkuptimin e Amerikës”, thotë Lajçak.