Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të mërkurën po vazhdon dëshminë dëshmitari i 118-të, Naser Krasniqi, në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Geoffrey Robert i cili përfaqëson Selimin, dëshmitari tha se atë (Selimin) e vlerëson për kontributin e dhënë për lirinë e Kosovës si dhe ishte vetë ai që urdhëroi lirimin e të ndaluarve në rastin e Krojmirit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“E vlerësoj lartë zotin Selimi për kontributin e dhënë për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Në kontekstin e rrethanave të kohës, zoti Selimi mund të ketë bërë gjënë e duhur që i ka liruar të ndaluarit. Unë nuk jam këtu për ta vlerësuar një gjë të tillë. Unë jam këtu për të dëshmuar me korrektësi për atë që kam parë dhe që kam dëgjuar”, tha ai.
“Ai mund të ketë bërë veprimin e duhur se ne kemi qenë ata që i kemi ndaluar ata persona, zoti Selimi i ka liruar ata persona”, tha dëshmitari.
Krasniqi mohoi se ka pasur ndonjë vendim me shkrim për lirimin e këtyre personave.
“Lirimi i tyre ka ndodhur në mënyrë verbale. ‘Këta duhet të lirohen’ dhe stafi i qendrës së mbajtjes i ka liruar. Kaq”, tha Krasniqi.
Po ashtu, Krasniqi mohoi se ka kundërshtuar lirimin e ndonjë personi në këtë rast ose në raste tjera.
“Nuk ka qenë detyrë e imja të kundërshtoj dhe nuk mendoj që është rregull që dikush që është më poshtë të kundërshtojë dikë që është pak më lartë sepse në fund të fundit në kontekst të rrethanave unë kam menduar që ai bëri veprimin e duhur”, tha Kransiqi.
Gjatë dëshmisë, dëshmitari tha se nuk ka pasur praktikë standarde se si duhet të veprohet në raste të tilla përveç udhëzimeve që i ka dhënë Sokol Dobruna.
Naser Krasniqi pohoi se përveç Sokol Dorbunes, nuk kishte të emëruar tjerë në Gjykatën Ushtarake.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.