Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami tha se ministri i Financave, Hekuran Murati, mbrëmë në ATV foli për “kontrabandë të supozuar”, të cilën ajo e quan “teori qesharake”.
Ish-ministrja tha gjithashtu se “Murati nuk arriti dot të numërojë as katër projekte të realizuara me 654 milionë euro të investimeve kapitale”.
“Si mund të mburresh për një shumë kaq të madhe të buxhetit të shpenzuar, por të mos jesh në gjendje të numërosh as katër projekte konkrete?”, pyeti ajo.
Bajrami e ftoi ministrin që të tregojë ku kanë shkuar 654 milionë euro të investimeve kapitale.
Postimi i Hykmete Bajramit:
Ekonomia e Hekuranit – Propagandë, Kontrabandë dhe Investime të Dyshimta
Mbrëmë në ATV, Context kish qënë ministri i Financave, Hekuran Murati. Më erdhi keq të shoh sa poshtë kishte rënë i gjori duke u vu komplet në funksion të propagandës, duke manipuluar të dhënat dhe shmangur përgjegjësinë.
Pashë dy video ku ai fliste për “kontrabandën e supozuar” dhe “investimet kapitale”. Ja disa fakte që tregojnë qartë mashtrimet e tij:
1. Kontrabanda e supozuar – Një teori qesharake.
Ministri pretendon se e di sa ka qënë kontrabanda në vitet e kaluara dhe se ai mund të masë atë përmes një indikatori të “importit potencial”, duke supozuar se importet duhet të jenë 61% e bruto prodhimit vendor. Një qasje e tillë është qesharake dhe e pabazuar shkenctarisht.
Por problemi kryesor është ky: kontrabanda është krim dhe dënohet me ligj.
Nëse ministri e di sa është vlera e kontrabandës dhe kush e kryen atë, por nuk e raporton në Prokurori, atëherë ai po fsheh një krim. Prokuroria duhet ta thërrasë menjëherë Hekuranin dhe të hetojë atë edhe ata që ai i akuzon për kontrabandë.
2. Investimet kapitale – Shpenzime masive pa transparencë.
Në një tjetër video, Murati nuk arriti dot të numërojë as katër projekte të realizuara me 654 milionë euro të investimeve kapitale. Si mund të mburresh për një shumë kaq të madhe të buxhetit të shpenzuar, por të mos jesh në gjendje të numërosh as katër projekte konkrete?
Por ka diçka edhe më të rëndë: sipas të dhënave zyrtare – Serive Fiskale Mujore të Ministrisë së Financave, nga 1 janari deri më 1 dhjetor 2024, janë shpenzuar 444 milionë euro për investime kapitale, ndërsa vetëm në muajin dhjetor janë shpenzuar 210 milionë euro.
A ka ndonjë logjikë që për 11 muaj shpenzohen 444 milionë euro, ndërsa vetëm në dhjetor – muaji më i pafavorshëm për realizimin e projekteve kapitale – shpenzohen 210 milionë euro?
Pra, ka dy mundësi:
Këto paratë janë shpërndarë në mënyrë të parregullt si avanse për interesa elektorale.
Ose këto investime janë fiktive dhe nuk kanë ndodhur realisht.
Hekuran, hajde trego ku shkuan këto para! Mjaft me manipulime dhe tregues qeshark!
KËTO JANË DISA NGA ARSYET QË KJO QEVERI I IKË PËRBALLJES ME NE, S’KANË ÇKA TREGOJNË.
Andaj, të nderuar qytetarë 9 shkurti është datë e rëndësishme, vota juaj përcakton të ardhmën tuaj dhe të fëmijëve tuaj. Vota juaj me 9 shkurt noton dhe duhet ta ngelë qeverinë me jotransparente që kemi pasur ndonjëherë, e cila 12 miliardë euro buxhet nuk e din se ku i ka shpenzu.
Behu ndryshimi!