“Fitoren do ta gëzojë ai që vodhi më pak, që ruajti kufirin, që foli pak dhe bëri shumë për veriun”

Aktuale

“Fitoren do ta gëzojë ai që vodhi më pak, që ruajti kufirin, që foli pak dhe bëri shumë për veriun”

Nga: A.SH Më: 29 janar 2025 Në ora: 12:39
Çun Lajçi

Aktori Çun Lajçi ka thënë se ne duhet të merremi me me fenomenin dhe jo me sallat sportive e zhurmaxhinjtë.

Sipas tij, të gjitha zhurmat, brohoritje, të sharat do të harrohen por “këto plagë do të mbesin si skenarë për filmat horror, që mbase një gjeneratë më e vetëdijshme se ne do t'i realizojë, për t’ua treguar nipërve dhe mbesave se kush ishim, ku ishim dhe si përfunduam duke sharë njëri-tjetrin, ndërsa i bënim qejfin atij që na dogji, na vrau e na i zhduku varret!”

Postimi i plotë:

Merruni me fenomenin, jo me hallat sportive e zhurmaxhinjtë!

* Do të ikë janari, e bashkë me të edhe zhurma e hallave sportive. Brohoritjet do të shuhen, e ata që u mbushën me entuziazëm për një joshje të vogël do të kthehen në rutinën e tyre, pa e ditur as vetë se çfarë dëgjuan, çfarë u premtua dhe kush gënjeu më shumë.

* Do të harrohet Donika e Jusufit dhe fjalët e saj të rënda për luftëtarin që pushka e bëri gjeneral, por do të harrohet edhe luftëtari që e quajti Albinin spiun të Serbisë.

* Po! Edhe ai gjenerali tjetër që tha "më shumë e respektoj një shka t'Beogradit se sa Albin Kurtin, edhe ai do t'bëhet harresë e keqe që kuterbonte vllavrasje!

Do të harrohen analistët që shanë Kosovën si të ishin të ardhur nga Shumadia, e në vend të tyre do të shfaqen imazhet e qerreve me buaj të muhaxhirëve nga Toplica, që dikur trokisnin dyerve të Prishtinës:

— Na bëni konak, se qerret i kemi me fëmijë e gra shtatzëna!

* Këto plagë do të mbesin si skenarë për filmat horror, që mbase një gjeneratë më e vetëdijshme se ne do t'i realizojë, për t’ua treguar nipërve dhe mbesave se kush ishim, ku ishim dhe si përfunduam duke sharë njëri-tjetrin, ndërsa i bënim qejfin atij që na dogji, na vrau e na i zhduku varret!

Hallat sportive do të harrojnë ofendimet e liderëve dhe premtimet e shkruara në copa letrash. Do të harrojnë brohoritjet e zbrazëta:

— Albin, Albin, Bedri, Bedri, Lumir, Lumir!

* Do të kalojë janari, e shkurti do të ikë. Do të shpërndahen zhurmaxhinjtë, ata që vrapuan nga qyteti në qytet për të mbushur sallat, për të luajtur rolin e telallëve:

— O popull, mblidhuni, rrihni tupanët e bërtisni: Rroftë Kapedani!

* Mua më kthehet në mendje shfaqja e Isuf Buxhovit "Gjon Nikollë Kazazi", e Çuni që shiste fyej e kavaj duke thirrur:

— O milet, në Gjakovë ka rënë murtaja!

* Po ik janari. Nëntë shkurti po vjen. Dhe fitoren do ta gëzojë ai që gënjeu më pak. Ai që vodhi më pak. Ai që ruajti kufirin. Ai që ujqit e Ibrit i çoi në Rashkë. Ai që foli pak dhe bëri shumë për Veriun.

* Po, do të fitojë i riu! Sepse e reja i duhet popullit, e vjetra duhet të mbetet histori — pak e dhimbshme, pak e idhët, e shumë pak e ëmbël!

- Cili është ai që nuk i mbushi xhepat me mëkate që do të festojë fitoren?

- Ate e din populli dhe popullit duhet t’i besojmë!

Ave të mirës! Ave Kosovës!

* Merruni me fenomenin, jo me hallat sportive e zhurmaxhinjtë, se iu del më mirë!

29.01.2025

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat