Me rastin e vdekjes së akademik Minir Dushi, është mbajtur ekspozea e arkivolit për homazhe dhe mbledhje komemorative. Aty u fol për jetën dhe veprën e akademik Dushit, për çka u vlerësua lartë kontributi i tij në fushën e shkencës.
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Artit të Kosovës, Mehmet Kraja tha se akademik Minir Dushi duke qenë pjesëmarrës në themelimin dhe ndërtimin e institucioneve më prestigjioze të Arsimit dhe Shkencës në Kosovë, u bë edhe sinonim i tyre.
Kraja potencoi se vdekja e Dushit ka lënë një vend të zbrazët në akademi.
Kraja: Ikja e akademik Minir Dushi lë një vend të zbrazët në akademinë tonë
"Ai ishte anëtar i Akademisë plot 50 vjet, që nga themelimi i saj. Ishte prorektori i parë i Universitetit të Prishtinës, më pas rektor në një kohë shumë të vështirë...Inxhinieri i parë shqiptar që zbriti në galeritë e Trepçës. Akademik Minir Dushi duke qenë pjesëmarrës në themelimin dhe ndërtimin e institucioneve më prestigjioze të Arsimit dhe Shkencës në Kosovë, u bë edhe sinonim i tyre. Ishte institucionalist në kuptimin më pozitiv të fjalës...Ikja e akademik Minir Dushi lë një vend të zbrazët në akademinë tonë. Një vend të zbrazët për ata që për shumë kohë ishin emblema e këtij institucioni", tha Kraja.
Sekretari i seksionit të shkencave të natyrës, anëtar korrespodent, Fetah Podvorica foli për jetën dhe veprën e akademik Minir Dushit. Ai tha se kontributi i Dushit bëri që për herë të parë në Minierën e Trepçës të prodhohet zink të pastër.
Podvorica tha se Dushi ka dhënë kontribut në përgatitjen e fjalorit enciklopedik të Kosovës.
Përveç kësaj, ai tha se opusi shkencor dhe profesional i akademik Minir Dushit arrin mbi 180 njësi bibliografike.
Podvorica: Opusi shkencor dhe profesional i akademik Minir Dushit arrin mbi 180 njësi bibliografike
"Me kontributin e tij në vitin 1968 për herë të parë edhe në Minierën e Trepçës u mundësua që të bëhet prodhimi i zinkut të pastër me elektrolizën e cila në atë kohë nxori më shumë se 30 mijë ton zink elektrolitik të pastër, prodhuar prej kësaj veprimtarie. Akademik Minir Dushi ka dhënë një kontribut të madh në themelimin e fakultetit Xehtaro-Metalurgjik...Akademik Minir Dushi ka pasur gjithashtu një veprimtari akademike shumë të pasur. Ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e punës dhe përfaqësimin e denjë të seksionit të shkencave të natyrës në pothuajse pesë dekada dhe po ashtu ai ishte i përfshirë përherë në aktivitetet dhe veprimtaritë jo vetëm të seksionit por edhe të vet të akademisë. Një kontribut të rëndësishëm akademik Minir Dushi e ka dhënë në përgatitjen e fjalorit enciklopedik të Kosovës. Opusi shkencor dhe profesional i akademik Minir Dushit arrin mbi 180 njësi bibliografike...Ai është nderuar me më se 28 shpërblime të ndryshme, me mirënjohje, diploma, pllakata dhe dekorata", tha Podvorica.
Ndërsa, Baton Dushi u shpreh se vdekja e babait të tij, Minir Dushit përveç familjes është humbje edhe për familjen akademike.
Dushi: Familja juaj e akademisë humbi kolegun punëtor, derisa familja jonë humbi prindin fort të kujdesshëm
"Ne sot kemi humbur njeriun tonë të familjes dhe për këtë humbje jemi në mort e dhimbje njerëzore. Njëjtë me ne edhe ju e keni humbur njeriun tuaj të familjes akademike. Që kur njeriu filloj socializmin brenda sojit të tij, familja që është dhe mbetet vet shenjtëria. Familja juaj e akademisë humbi kolegun punëtor, derisa familja jonë humbi prindin fort të kujdesshëm dhe shumë punëtorë...Ai thoshte "ia dolëm e bëmë akademinë'. Ju vërtetë ia dolët e bëtë dhe po e rritni atë. Respekt, mirënjohje për çdo ditë që prindi ynë gjeti respekt dhe ngrohtësinë tuaj", u shpreh Dushi.
Telegram ngushëllimi familjes Dushi i dërgoi edhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë duke thënë se "Kujtimi dhe vepra e akademik Minir Dushit do të mbeten gjithmonë frymëzim për të gjithë ata që i shërbejnë dijes dhe përparimit shkencor”.
Në ekspozimin e arkivolit për homazhe dhe ngushëllime të familjes mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ndërkaq, në mbledhjen komemorative dhe homazhe morën pjesën ministrja e Ekonomisë, Artane Rizavanolli dhe ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci. Përveç këtyre, morën pjesë edhe shumë personalitete të tjera të njohura politike.
Akademik Minir Dushi ka lindur në vitin 1929 dhe ka vdekur më 27 janar të këtij viti.