William Walker jep dëshmi në Gjykatën Themelore në Prishtinë

Aktuale

William Walker jep dëshmi në Gjykatën Themelore në Prishtinë

Më: 29 janar 2025 Në ora: 16:43
William Walker

William Walker, ish-ambasador i OSBE-së në Kosovë, ka dëshmuar të mërkurën para Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, zëdhënësja e kësaj Gjykate, Mirlinda Gashi, e cila bëri të ditur se dëshmia e Walker u dha pas kërkesës së Prokurorisë Speciale për mundësi hetuese të veçantë për marrjen e deklaratës së tij.

Aty u bë e ditur se rasti është i mbyllur për publikun.

“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për mundësi hetuese të veçantë për marrjen e deklaratës së dëshmitarit W.W, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special është duke mbajtur seancën për mundësi hetuese të veçantë për marrjen e deklaratës së dëshmtarit W.W, i cili ka të bëjë me krime lufte. Rasti është i mbyllur për publikun”, konfirmoi Gashi.

Pika 1 e nenit 149 “Mundësia hetuese e veçantë” e Kodit të Procedurës Penale përcakton se “Përjashtimisht, prokurori i shtetit, viktima, mbrojtësi i viktimave, i pandehuri ose mbrojtësi i tij mund të kërkojë që gjyqtari i procedurës paraprake të merr dëshmi nga dëshmitari ose të kërkojë ekspertizë me qëllim të ruajtjes së provës kur ekziston një mundësi e veçantë për marrjen e provës së rëndësishme ose kur ka rrezik të konsiderueshëm se kjo provë nuk do të mund të merrej gjatë shqyrtimit gjyqësor“. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat