Kosovë, raport mbi ndikimin e ekstremizmit

Aktuale

Kosovë, raport mbi ndikimin e ekstremizmit

Më: 29 janar 2025 Në ora: 16:52
Raport mbi ndikimin e ekstremizmit

Një raport i publikuar nga organizata ‘Sbunker’ në Prishtinë thekson se ekstremizmi në Kosovë mbetet i kufizuar, por faktorët që mund të kontribuojnë në rritjen e tij janë të pranishëm dhe mjedisi është i favorshëm për përhapjen e ideologjive të skajshme.

Këto të gjetura u bënë publike në raportin “Luftimi i ekstremizmit në Kosovë: prirjet, sfidat dhe kundër-masat”, ku theksohet se janë identifikuar tre lloje kryesore te ideologjive ekstreme, etnonacionalizmi, rrëfimet antigjinore si dhe ekstremizmi fetar.

“Ndoshta ne sot nuk e kemi një grup të mobilizuar ose një rrymë që tregon për një grup që është i ekstremit të djathtë mirëpo në kemi nuanca, kemi trende të cilat brenda viteve mund të themi që do të mund të ekzistojë një grup i ekstremit të djathtë”, tha Adelina Hasani, autore e raportit.

Në raport theksohet se nacionalizmi në Kosovë shënohet kryesisht nga armiqësia e thellë ndërmjet grupeve etnike, veçanërisht shqiptarëve dhe serbëve. Çështjet e pazgjidhura dhe trashëgimitë e luftës së viteve 1998-1999 vazhdojnë te dominojnë ligjërimin politik si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, duke penguar mundësinë e pajtimit dhe ecjes përpara.

Autorja e raportit, Adelina Hasani thotë se etnonacionalizmi ne Kosovë rrjedh prej rrëfimeve paralele historike.

“E shohim se çështja e etnonacionalizmit është problem sidomos ndërmjet komunitetit serb dhe shqiptar duke ju referuar shumë problematikave dhe luftës së fundit që ka ndodh. Por një gjë të tillë nuk e shohim që është aq e shprehur në mes të komuniteteve tjera që jetojnë në Kosovë”, tha ajo.

Në raport thuhet se ndërsa rrjetet e organizuara ekstremiste fetare janë dobësuar për shkak të masave të rrepta nga institucionet e sigurisë së Kosovës, ideologjia nuk është zhdukur.

“Nuk ka një strukturë të identifikuar qartë që u udhëheq këtë ekstremizmin religjioz, nuk ka lider, nuk diçka të strukturuar, nuk kemi gjetë dhe parë por ka elemente e gjuhë dhe grupe që promovojnë një lloj konservatorizmi islam shumë problematik i cili është problematik edhe për vet Bashkësinë Islame të Kosovës sepse ata operojnë jashtë juridiksionit të kësaj bashkësie dhe përfaqësojnë kërcënim edhe për vet islamin tradicional në Kosovë dhe për vet bashkësinë Islame dhe sidomos për qytetarët e Kosovës”, tha Alban Bokshi menaxher i projekteve në ‘Sbunker’.

Në raport thuhet se rrëfimet antigjinore në Kosovë promovohen përmes gjuhës publike të urrejtjes, fushatave në mediat sociale dhe debateve parlamentare. Sipas raportit dhuna ndaj grave është normalizuar në shumë hapësira publike dhe online, duke u dhënë hov ideologjive ekstremiste.

“Gjen mjaft shprehje raciste të ekstremit të djathtë antigjinor të cilat pa pasur një strukturë të qartë të ekstremit të djathtë, janë elemente të ekstremit të djathtë i cili nuk e ka ende një strukturë të organizuar në Kosovë. Do të thotë elementet janë por i mungon pjesa e strukturës e një lëvizjeje apo parti politike që i përfaqëson këto dhe që ka një mbështetje popullore”, tha zoti Bokshi.

Sipas raportit mungesa e edukimit mbi diversitetin dhe të drejtat e njeriut, dezinformimi në mediat sociale dhe tensionet historike, krijojnë një mjedis të favorshëm për përhapjen e ideologjive ekstremiste ndërsa theksohet se për të parandaluar përshkallëzimin e kësaj dukurie, është e nevojshme një qasje gjithëpërfshirëse që përfshin arsimin, shoqërinë civile dhe institucionet shtetërore./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat