Shaip Kamberi: ‘Era e ndryshimeve’ në Serbi duhet shikuar me kujdes

Aktuale

Shaip Kamberi: ‘Era e ndryshimeve’ në Serbi duhet shikuar me kujdes

Më: 29 janar 2025 Në ora: 20:44
Shaip Kamberi

Deputeti shqiptar Shaip Kamberi ka folur mbi zhvillimet e fundit në Serbi pas dorëheqjes së kryeministrit Millosh Vuçeviq dhe protestave të studentëve e qytetarëve ndaj regjimit të presidentit Aleksandar Vuçiq.

Në një postim në Facebook, Kamberi ka thënë se “flijimi” i Vuçeviq nuk solli ndërprerjen e protestave studentore siç priste Vuçiq, pasi që ato po vazhdojnë në shumë qendra të Serbisë dje dhe sot.

Kamberi ka folur mbi opsionet e Vuçiq pas dorëheqjes së Vuçeviq - propozimi i mandatarit për krijimin e qeverisë së re, në afatin prej 10 ditësh, ndërsa qeveria e re duhet të zgjidhet në afatin prej 30 ditësh nga dita e konstatimit të dorëheqjes së qeverisë aktuale.

"Në këtë rast Vuçiq ka dy mundësi: të propozojë një mandatar nga radhët e partisë së tij, me partnerët aktual (SNS, SPS, pensionistët, hungarezët dhe boshnjakët e Zukorliqit e Laiqit) duke u munduar që në këtë përbërje të fusë edhe dikë nga opozita aktuale, që me shumë gjasë do të shkaktonte revoltë edhe më të madhe të studentët dhe gjithë protestuesit tjerë, ose të pranojë opsionin tjetër që i mbetet, të pranojë kushtet e protestuesve dhe të krijojë “qeverinë kalimtare”, me detyrë për përgatitjen e zgjedhjeve në të gjitha nivelet, por, fillimisht duke ndryshuar legjislacioni zgjedhor", ka thënë Kamberi.

Ai përkujton se këtë opsion Aleksandar Vuçiq e ka hedhur poshtë me mesazhin për studentët dhe opozitë: “Duhet të më vrisni për ta realizuar".

"Akoma arrogant në paraqitje dhe në shprehje, Vuçiq, si një autokrat, po vlerëson opsionet e pakta që ka në disponim për të përballur me gjendjen e rëndë aktuale, të cilën edhe vet e cilësoi “dramatike” duke pranuar se gjendet në “knockdown" të cilit po i "gëzohen shqiptarët e kroatët”.

Vuçiq, siç edhe po e shpreh hapur, preferon zgjedhje në nivel lokal dhe parlamentar. Zgjedhje me kushtet e njëjta, të cilat ia kanë lehtësuar atij vjedhjet masive të votave, për një pushtet të pakontrolluar. Preferenca e tij është kundërshtuar nga një pjesë e opozitës si e papranueshme", shton tutje Kamberi.

Ai thotë se nëse nuk do të arrijë ta thyejë rezistencën e protestuesve, Vuçiqit do t’i mbetet opsioni i dorëheqjes si president, për të ndikuar zgjedhjet e parakohshme në të gjitha nivelet, gjë e cila sipas Kamberit do ta çonte situatën në kufijtë e dramatikes.

“Era e ndryshimeve po fryn në këtë kontinent” në një fjalim para parlamentit të Afrikës së Jugut, vend ky në të cilin partia e të bardhëve në pushtet kishte krijuar aparteidin si simbol të sundimit, kishte deklaruar më 3 shkurt 1960, kryeministri i atëhershëm britanik, Harold Makmillan.

“Era e ndryshimeve” po fryn edhe në Serbi. Ndërsa Vuçiq akoma nuk tregohet i gatshëm për kompromise, bashkëngjitja e shtresave të ndryshme të shoqërisë studentëve dhe kauzës së tyre për të sjellë para drejtësisë fajtorët e tragjedisë në Novi Sad, po bëhet gjithnjë edhe më e madhe.

Edhe pse është herët të flitet për epokën post-Vuçiq, mbetet të shihet rezultati i ndryshimeve që pritet të sjellë vala e protestave disamujore. Që prej Millosheviqit deri te Vuçiqi, Serbia, ka provuar opsione të ndryshme politike, ama, asnjëherë nuk i ka dhënë mundësi asaj që njihet si “Serbia tjetër”.

Një opsion qytetar, që nuk eksporton kriza te fqinjët, që heq dorë nga ambiciet hegjemoniste dhe ekspansioniste të këtij shteti që vetvetes nuk ia njeh kufijtë.

Një opsion që heq dorë nga projekti destruktiv “Bota serbe”; i aftë dhe i gatshëm për tu përballur me të kaluarën e vet të dhunshme: pranimin e krimeve të luftës dhe gjenocidit; që njeh realitetet e krijuara në rajon veçmas në Kosovë.

Një Serbi tjetër, natyrisht duhet të dëshmojë qasje krejtësisht tjetër, progresive ndaj pakicave. Lugina e Preshevës dhe shqiptarët që, për dekada, janë në thumb të qeverive të këtij vendi, do të jenë test i rëndësishëm i ndryshimeve eventuale në këtë shtet.

Nëse ndodh kjo, mundësia e ndërtimit të paqes së qëndrueshme në Ballkan do të rritet. Në të kundërtën, Serbia do të vazhdojë me eksportimin e krizave dhe sfidave të sigurisë në këtë rajon.

Kujtojmë, Millosh Vuçeviq ka dhënë dje dorëheqje të parevokueshme nën presionin e protestave studentore dhe qytetarëve për më shumë se dy muaj pas shembjes së tendës hekurudhore më 1 janar 2024 në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona dhe disa të tjerë u lënduan.

Në Serbi, sipas Kushtetutës, presidenti detyrohet të fillojë procedurën për zgjedhjen e Qeverisë së re, që nëse nuk zgjidhet brenda një muaji nga dorëheqja e kryeministrit paraprak, kreu i shtetit detyrohet ta shpërndajë Parlamentin dhe të shpallë zgjedhjet e reja".

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat