Haradinaj në Lipjan: Kosova mund të përballet me vendime pa përfshirjen e saj

Aktuale

Haradinaj në Lipjan: Kosova mund të përballet me vendime pa përfshirjen e saj

Më: 29 janar 2025 Në ora: 20:57
Pamje nga tubimi

Kandidati për kryeministër nga koalicioni për Kosovën Fituese, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova mund të përballet me vendime ndërkombëtare që do të merren pa konsultimin e saj, nëse nuk angazhohet seriozisht për realizimin e reformave të nevojshme.

Ai në tubimin elektoral në Lipjan ka theksuar se me rikthimin e presidentit Donald Trump në Shtetet e Bashkuara bota ka ndryshuar dhe, si rezultat, nuk ka më kohë për vonesa e gabime.

Haradinaj ka thënë se është koha që qytetarët të zgjedhin Kosovën Fituese”, pasi siç tha ai, ekziston rreziku të merren vendime për Kosovën pa Kosovën.

Haradinaj: Ekziston rreziku të merren vendime pa Kosovën

“Duhet ulur çmimi i energjisë, e kam formulën, gazsjellësi që vjen prej Shkupi për Prishtinë në periferi të Ferizaj, centrali me gaz si bëhet më së shpejti. Rreth tri vjet, e uli çmimin e energjisë të garantuar në Kosovë, deri atë ditë nëse nuk mund të uli nuk e lë të rritet. Nëse vazhdojnë këta që janë, besoni çdo tre muaj kanë me na rrit, se i kanë kap ata tjerët, që po fitojnë, dhe nuk na dalin 100 eurot me na jep çdo muaj nëse mbesin këto, e jo njëherë në vjet...Do të kthejmë edhe ligjin për investitorë strategjikë në Kosovë...Ekziston mundësia reale që nëse nuk e kryem punën mirë me këtë votë, do të na përjashtojnë edhe më shumë, sepse bota ka ndryshuar shumë, sidomos për arsyeje se presidenti Trump në Amerikë, dinamikat janë krejt të tjera, zhvillimet tjera, nuk ka kohë për tolerancë e budallaqe të askujt. Ekziston rreziku të merren vendime për Kosovën pa Kosovën që do të ishte e rëndë për vendin tonë”, deklaroi Haradinaj duke mos dhënë detaje se për çfarë vendimesh mund të bëhet fjalë.

Haradinaj theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO është çelësi për sigurinë e vendit dhe se do të punojë për realizimin e këtij objektivi.

Haradinaj: Hyrja e Kosovës në NATO zgjidh problemin e sigurisë

“I veçoj edhe takimet në Bruksel, është e vërtetë që ka fonde, buxhet për bujqësi, fermerët e bizneset, por për fat të keq pa e ndërruar këtë qeveri, nuk i thithim ato fonde, jemi dënuar tash prej BE-së. Por shpresoj se do të ndërrojmë shpejt këtë qeveri dhe t’i thithim ato fonde, janë tonat, iu takojnë vendeve veç e veç, dhe veç ne nuk i marrim në rajon. Nuk janë shuma të vogla, janë qindra milionë...Ne kemi dalë prej lufte, jemi në tranzicion, e kemi bërë ushtrinë, por ende nuk është përmbyll statusi ynë i plotë ndërkombëtar dhe derisa nuk është përmbyll ky status ndërkombëtar, ne jemi më të ekspozuar rreziqeve të sigurisë. Pra, nuk guxojmë të bëjmë eksperimente shumë me sigurinë, dhe të bëhen prapa shpinës së aleatëve, është rrezik. Për të sjellë njëherë e përgjithmonë sigurinë tonë, anëtarësimi në NATO e zgjedh. Unë kam punuar shumë seriozisht në këtë temë, dhe e kemi çuar përpara, dhe nëse e marr besimin e juaj, e kryej anëtarësimin në NATO”, ka thënë Haradinaj.

Kryetari i NISMA, Fatmir Limaj ka kritikuar qeverisjen aktuale për mos zhvillim të vendit e mungesë të mirëqenies, ndërsa është zotuar se me Koalicionin për Kosovën Fituese do të mbrohen të gjitha kategoritë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Limaj: Nuk ka adresë që mbron kategoritë e familjeve të dëshmorëve, veteraneve e invalidëve sesa Kosova Fituese

“Jemi në një vend po ashtu sikur Shtime, një zonë ku djemtë e Lipjanit kanë qenë pjesë e pandarë e proceseve të rëndësishme historike të lirisë sonë...Ajo që na shqetëson e dhemb është ku po e lëmë vendin, në duar të kujt, a ka Kosova t’i humb edhe katër vite, eksperimenteve duhet dhënë fund, është mjerim të duartrokasin gratë për luftën, ne jemi bijë të nënave, e dimë çka është lufta. Pra, duhet një kandidat për kryeministër që ofron paqe, mirëqenie, zhvillim ekonomik, atij duhet t’i duartrokitet, e jo një njeriu që vjen dhe ju thirr fëmijën e juaj, ju flet për luftën. Ne kemi qenë në luftë. Nuk kemi hyrë në luftë për mendje të madhe, as pse kemi qenë trima, s’kemi pasur rrugë tjetër, por për t’i shërbyer vendit...A ka Kosova kohë dhe nerva të vazhdojë këtë aventurë edhe katër vjet tjera, prandaj, ne dalim para jush me shumë entuziazëm me këtë listë për t’ju thënë ta shpëtojmë Kosovën, Kosova ec përpara vetëm përmes veprave...Nuk ka adresë të zemrës që mbron këto kategori, edhe të familjeve të dëshmorëve, veteranëve e invalidëve sesa Kosova Fituese”, tha Limaj.

Kujtojmë, fushata zgjedhore tashmë ka hyrë në javën e saj të tretë para zgjedhjeve të 9 shkurtit, të cilat mbahen për herë të parë të rregullta pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat