Protestat studentore dhe qytetare në Serbi po sfidojnë pushtetin e Aleksandar Vuçiqit, ndërsa dorëheqja e kryeministrit Vuçeviq nuk ka ndaluar valën e pakënaqësisë. Deputeti shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi, e sheh këtë si një moment kritik për të ardhmen e Serbisë, duke ngritur pikëpyetje mbi opsionet e Vuçiqit dhe mundësinë e krijimit të një qeverie kalimtare.
Në analizën e tij, Kamberi flet për skenarët e mundshëm dhe perspektivën e një "Serbie tjetër" që do të shkëputej nga hegjemonizmi dhe projektet destabilizuese si "Bota serbe". A është ky fillimi i fundit për Vuçiqin? Lexoni më poshtë analizën e plotë të deputetit shqiptar në Serbi:
“Era e ndryshimeve”
Flijimi i Vuçeviqit, duke dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Serbisë, nuk solli ndërprerjen e protestave studentore siç priste Vuçiq. Gjatë ditës dhe mbrëmjs së djeshme, sikurse edhe sot, studentë dhe qyetarë tjerë, nëpër shume qendra të Serbisë, vazhduan protestat kundër Vuçiqit dhe partisë së tij SNS.
Pas dorëheqjes së Vuçeviq, presidenti i Serbisë ka të drejtën e propozimit të mandatarit për krijimin e qeverisë së re, në afatin prej 10 ditësh (siç e paralajmëroi në konderencën e mbrëmshme) ndërsa qeveria e re, sipas Kushtetutës, duhet të zgjidhet në afatin prej 30 ditësh nga dita e konstatimit të dorëheqjes së qeverisë aktuale.
Në këtë rast Vuçiq, ka dy mundësi: të propozojë një mandatar nga radhët e partisë së tij, me partnerët aktual (SNS, SPS, pensionistët, hungarezët dhe boshnjakët e Zukorliqit e Laiqit) duke u munduar që në këtë përbërje të fusë edhe dikend nga opozita aktuale, që me shumë gjasë do të shkaktonte revoltë edhe më të madhe të studentët dhe gjithë protestuesit tjerë.
Ose të pranojë opsionin tjetër që i mbetet, të pranojë kushtet e potestuesve dhe të krijojë “qeverinë kalimtare”, me detyrë për përgatitjen e zgjedhjeve në të gjitha nivelet, por, fillimisht duke ndryshuar legjislacioni zgjedhor.
Këtë opsion Vuçiq, në paraqitjen e mbrëmshme, e kosideroi të papranueshëm: “duhet të më vrisni për ta realizuar" ishte mesazhi i tij për studentët dhe opozitën, të cliënt i akuzoi për seperatozëm në Vojvodinë dhe anarkizëm.
Akoma arrogant në paraqitje dhe në shprehje, Vuçiq, si një autokrat, po vlerëson opsionet e pakta që ka në disponim për të përballur me gjendjen e rëndë aktuale, të cilën edhe vet e cilësoi “dramatike” duke pranuar se gjendet në “knockdown" të cilit po i "gëzohen shqiptarët e kroatët”.
Vuçiq, siç edhe po e shprehë hapur, preferons zgjedhje në nivel lokal dhe parlamentar. Zgjedhje me kushtet e njëta të cilat ia kanë lehtësuar atij vjedhjet masive të votave, për një pushtet të pakontrolluar. Preferenca e tij është kundërshtuar nga nhe pjesë e opozitës si e papranueshme.
Nëse nuk do të arrijë ta thyej rezistencën e protestuesve, atij i mbetet opsioni i dorëheqjes së vet si president i vendit, për të ndikuar zgjedhjet e parakohshme në të gjitha niveet, por, kjo, me siguri, do ta çonte situatën në kufijtë e dramatikes.
“Era e ndryshimeve po fryen në këtë kontinent” në një fjalim para parlamentit të Afrikës së Jugut, vend ky në të cilin partia e të bardhëve në pushtet kishte krijuar aparthejdin si simbol të sundimit, kishte deklaruar më 3 shkurt 1960, kryeministri i atëhershëm britanik, Harold Makmillan.
“Era e ndryshimeve” po fryen edhe në Serbi.
Ndërsa Vuçiq akoma nuk tregohet i gatshëm për kompromise, bashkangjitja e shtresave të ndryshme të shoqërisë studentëve dhe kauzës së tyre për të sjellë para drejtësisë fajtorët e tragjedisë në Novi Sad, po bëhet gjithnjë edhe më e madhe.
Edhe pse është heret të flitet për epokën post-Vuçiq, mbetet të shihet rezultatati i ndryshimeve që pritet të sjellë vala e protestave disamujore.
Që prej Millosheviqit deri te Vuçiqi, Serbia, ka provuar opsione të ndryshme politike, ama, asnjëherë nuk i ka dhënë mundësi asaj që njihet si “Serbia tjetër”.
Një opsion qytetar, që nuk eksporton kriza te fqinjët, që hjek dorë nga ambiciet hegjemoniste dhe ekspansioniste të këtij shteti që vetvetes nuk ia njeh kufijtë.
Një opsion që hjek dorë nga projekti destruktiv “Bota serbe”; i aftë dhe i gatshëm për tu përballur me të kaluarën e vet të dhunshme: pranimin e krimeve të luftës dhe gjenocidit; që njeh realitetet e krijuara në rajon veçmas në Kosovë.
Një Serbi tjetër, natyrisht duhet të dëshmojë qasje krejtësisht tjetër, progresive ndaj pakicave. Lugina e Preshevës dhe shqiptarët që, për dekada, janë në thumb të qeverive të këtij vendi, do të jenë test i rëndësishëm i ndryshimeve eventuale në këtë shtet.
Nëse ndodh kjo, mundësia e ndërtimit të paqes së qëndrueshme në Ballkan do të rritet. Në të kundërtën, Serbia do të vazhdojë me eksportimin e krizave dhe sfidave të sigurisë në këtë rajon.