Kompania publike “Trainkos” ka pasur ndërhyrje dhe manipulim të të dhënave në arka fiskale dhe se është dëmtuar financiarisht nga shitja e biletave gjatë operimit me arka për një kohë të gjatë.
Ndërmarrja publike “Trainkos” ka bërë të ditur se 12 punonjësve u është shkëputur marrëdhënia e punës për shkak të manipulimit të të dhënave në arka fiskale. Sipas njoftimit të kësaj ndërmarrje, dëmi i konstatuar është 230 mijë euro.
“Në kuadër të një hetimi fillimisht të brendshëm të ndërmarrjes, pastaj edhe më aprovimin e Departamentit të Arkave Fiskale në kuadër të Administratës Tatimore të Kosovës, përmes operatorit të licencuar ekonomik Enternet (i kontraktuar nga ana jonë për pajisjet me arka fiskale). Me ç ‘rast janë bërë leximet e të dhënave të të gjitha arkave fiskale. Nga ky lexim ka rezultuar se ka dyshime për ndërhyrje dhe manipulim të dhënave, si dhe fshehje dhe dëmtim të raportimit të shitjeve të biletave gjatë operimit me arka për një periudhë të gjatë kohore. Të gjitha këto dyshime janë dokumentuar e vërtetuar përmes leximeve nga personat e autorizuar përgjegjës të operatorit në fjalë”, thuhet në njoftim.
Për më tepër thuhet se “ndaj 12 punonjësve është marrë masa disiplinore e shkëputjes së marrëdhënies së punës, ashtu siç precizohet në rregullore për këto raste”.
Ndërmarrja ashtu siç obligohet me ligj, ka njoftuar me kohë Njësia për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, dhe Bordin e Drejtorëve, si dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale.
“Po ashtu, në koordinim me ATK, përmes operatorit të lartcekur, janë nxjerrë të dhënat si: prova dhe dëshmitë e dyshimit për aktivitetin e bërë nga disa punonjës përmes arkave fiskale, të cilët gjatë kryerjes së detyrës, për një periudhë të gjatë kohore në vazhdimësi, pothuajse nga viti 2016 e deri në fundvitin e 2024, kanë ndërhyrë në të dhënat e raportimit, duke resetuar pajisjet dhe duke fshehur të dhënat reale të shitjeve. Dëshmitë janë proceduar përmes specialistëve të fushës së operatorit, të cilat, pasi janë nxjerrë në tërësi, kanë ardhur në përfundime duke i lexuar të dhënat e gjetura”, thuhet në njoftim.
Për këtë, janë njoftuar dhe organet e rendit dhe të hetuesisë, ndërsa sipas të dhënave të nxjerra nga memoriet e arkave, Ndërmarrjes dyshohet t'i jetë shkaktuar një dëm i konsiderueshëm në të holla, si dhe në vet imazhin e saj.
Sipas Trainkos, për dëmin e shkaktuar dhe për memoriet e mbetura pa lexuar, kjo çështje kërkon një hetim nga ana e autoriteteve ligj zbatuese, si dhe ato të hetuesisë, nga të cilat kërkojmë që zyrtarisht të nisin hetimet, duke qenë se vepra e kryer përmban disa elemente të veprave penale të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Andaj, Trainkos Sh.A., i bën thirrje zyrtarisht Prokurorisë së vendit që të nisë hetimet.