Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtar, Enver Bytyçi, konsideron se administrata Trump do të jetë më e mirë se ajo e mëparshmja.
“Richard Grennell kritikoi qeverinë e Republikës së Kosovës për qëndrimet pro-amerikane të saj nën administratën e presidentit Biden. E bëri këtë pak si me cinizëm, por që na lajmëron se administrata Trump do të jetë më e mire se ajo e mëparshmja. Së paku unë kështu e lexoj dhe pavarësisht cinizmit të tij me duhet të them se unë pres një angazhim dhe rezultat më të mire në marrëdhëniet midis Kosovës dhe SHBA-ve në këto katër vite që vijnë. Me ose pa Albin Kurtin, kjo do të ndodhë. Madje duhet të them se me zotin Kurti ka shumë mundësi që lidhjet Kosovë-SHBA të jenë Akoma më të mira, pozitive dhe produktive. Shumë njerëz, përfshirë dhe veten time, para katër vitesh besuam se me Joe Biden Kosova do të përmbyllte shtetësinë e saj. Ndodhi e kundërta. Ndodhi ajo që nuk e prisnim. Administrata Biden e ndikuar nga Soros dhe shërbëtorët e tij në DASH e në administratën e tij punoi njësoj si administrata Obama dhe më keq se administrata Trump 1. U bë njësh me përpjekjet e Edi Ramës për Kosovën. Përfaqësuesit amerikanë të diplomacisë, me Escobar e të tjerë sorosistë, punuan që të rehabilitohet edhe më tepër Serbia dhe Aleksandër Vuçiq. E bënë këtë duke iu kundërvënë Kosovës dhe qeverisë Kurti”, thekson Bytyçi.
Sipas tij, Joe Biden nuk e priti dhe nuk e dëgjoi asnjëherë Albin Kurtin, kjo sepse e pengoi Edi Rama dhe Sorosi.
“Por Grennell ka thënë një të vërtetë. Albin Kurti loboi fuqishëm atëherë për fitoren e Joe Biden. Dhe korri një qëndrim të paprecedentë. Unë vazhdoj të besoj se Barak Obama ishte presidenti më i keq për Kosovën. Por të paktën ai e priste Hashim Thaçin. Joe Biden nuk e priti dhe nuk e dëgjoi asnjëherë Albin Kurtin. Kjo sepse e pengoi Edi Rama dhe Sorosi. Ndaj dhe disa në DASH luajtën me Kosovën. Deri te paralajmërimet që të mos lejojnë anëtarët e qeverisë të shkojnë në komunat e veriut, pra në territorin e shtetit të Kosovës.
Tani jemi në administratën Trump. Shumë nga ne e morëm me frikë fitoren e tij. Kishim të drejtë, por ndoshta jo aq me arsye. Njerëz pranë Trump ishin angazhuar për ndarjen e Kosovës. Mbështetën Open Balkan. Për ndarjen e Kosovës rrëzuan qeverinë Kurti 1. Ishte e padrejtë e gjitha kjo. Por ndoshta e dramatizuam dhe fajësuam Trump në vend të fajësojmë Hashim Thaçin dhe Edi Ramën. Këta të dy i thanë Tony Blair dhe lobuan fort për ndryshimin e kufijve. Bashkë me ta edhe ministrja Hoxha, ambasadorja Çitaku e plot të tjerë. Është absurde që edhe sot thonë “Jo Thaçi e Rama nuk janë fajtorë për atë iniciativë serbe për ndarjen e Kosovës”! Dhe ne na erdhi për më mbarë të themi “Fajin e ka Donald Trump”!”, nënvizon Bytyçi.
Nëse nuk bëhet afrimi i Kosovës me administratën e Donald Trump, atëherë sipas Bytyçi, Kosova mund të gjendet në situata të papritura.
“Bazuar në këtë eksperiencë të hidhur, sot ka ende skepticizëm për fitoren e Donald Trump. Kjo ka pasoja të rënda. Sepse Kosova ka nevojë për Donald Trump. Atë po e kërkojnë në ndihmë armiqtë e Kosovës, Rusia dhe Serbia. Madje edhe Republika Srpska. Si të mos e kërkojë Kosova?”! Albin Kurti duhet të dalë mbi paragjykimet ideologjike e politike dhe të bëjë ç’është e mundur që ta fitojë mbështetjen e administratës dhe vetë presidentit Trump. Nuk ka rrugë tjetër. Nëse nuk bëhet afrimi i Kosovës me administratën e Donald Trump, atëherë Kosova mund të gjendet në situata të papritura. Çështja e shtetit dhe shtetësisë së Kosovës është çështja më e rëndësishme për Kosovën. Nuk e di. Ndoshta zoti Kurti i ka rregulluar punët që ta përmbyllë shtetësinë. Por nuk besoj se kjo ndodh pa amerikanët. Ata do të jenë vemdimarrësit më të rëndësishëm. Nëse ndodh që SHBA dhe Kina afrohen, atëherë duhet punuar për t’u afruar edhe me Pekinin zyrtar. Kosova ka nevojë për miq. Armiqtë i ka pasur aty gjithë jetën e saj. I ka edhe sot. Ata janë Beogradi dhe Moska. Kjo do të thotë që të gjenden kanalet e komunikimit dhe të vendoset siguresa e garancive për bashkëpunim me administratën Trump”, shton profesori.
Sipas Bytyçit, Trump bën atë që thotë dhe për këtë arsye ai është i sinqertë.
“Në fund të fundit Trump është i sinqertë. Ai bën atë çfarë thotë, ndërkohë që në administratën e mëparshme ne kemi parë se jo pak diplomatë e mashtruan Kosovën. Shqip gënjyen. Bëni Çakorrin dhe do t’ua liberalizojmë vizat, thoshin. E bënin të kundërtën. Ngrijeni Gjykatën Speciale dhe do të sigurojmë njohje të reja e pranime në organizatat ndërkombëtare, premtonin. Dhe bënë të kundërtën. Bënë presion përmes ndalimit të njohjeve dhe pranimit në këto organizata. Trump bën atë që thotë dhe për këtë arsye, ai është i sinqertë. Por ai ka nevojë të informohet. Qeveria dhe presidentja e kanë për detyrë të gjejnë mundësitë e informimit të hollësishëm para se të ndërmerren hapat e zbatimit të ndonjë plani të caktuar!”, përfundon Bytyçi.