Kryetari Konjufca priti në takim ambasadorin jorezident të Jordanisë, biseduan për bashkëpunim në mbrojtje e siguri

Aktuale

Kryetari Konjufca priti në takim ambasadorin jorezident të Jordanisë, biseduan për bashkëpunim në mbrojtje e siguri

Më: 30 janar 2025 Në ora: 15:55
Pamje nga takimi

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim Ambasadorin e ri Jorezident të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë për Republikën e Kosovës, Hazem Issam Al-Khatib Al-Tamimi, të cilin e uroi për detyrën e tij të re.

Në këtë takim u diskutua rreth çështjeve të interesit të përbashkët dhe bashkëpunimit midis dy vendeve, me perspektivën e thellimit të mëtejshëm të raporteve dhe zhvillimit të mundësive të tjera të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë edhe atë parlamentare.

Ndër fushat më prezente të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Jordanisë janë ato të mbrojtjes dhe sigurisë, për të cilat bashkëbiseduesit u pajtuan se duhet të zgjerohen edhe më tej, si një mënyrë për shkëmbimin e përvojave dhe rritjen e kapaciteteve.

Kryetari Konjufca e falënderoi ambasadorin Al-Tamimi për vizitën e tij dhe për diskutimin e frytshëm, duke i uruar atij qëndrim sa më të mirë e sa më produktiv në Republikën e Kosovës, e duke u shprehur i bindur për ruajtjen dhe thellimin e mëtutjeshëm të raportve mes vende tona në shumë drejtime.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat