Gjykata Themelore e Mitrovicës i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh policit që dyshohet se e ka shkaktuar aksidentin në Çubrel të Skenderajt, ku vdiqën tre persona.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e kësaj gjykate Hateme Haxhaj.
Në këtë aksident ishin përfshirë një automjet civil dhe një automjet i policisë.
Pos viktimave në këtë aksident ishin edhe pesë të lënduar, në mesin e tyre edhe katër zyrtarë policor.
Seanca dëgjimore lidhur me këtë rast është mbajtur në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, për shkak të trajtimit që ishte duke marrë i dyshuari për këtë aksident.
Sipas gjykatës dyshohet se aksidenti ka ndodhur kur i pandehuri nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes në rrugën Pejë – Mitrovicë në fshatin Çubrel.