​Osmani pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Japonisë në Kosovë

Aktuale

​Osmani pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Japonisë në Kosovë

Më: 30 janar 2025 Në ora: 17:39
Presidentja Vjosa Osmani, Kiminori Iwama.

Presidentja Vjosa Osmani, ka pranuar sot letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Japonisë në Prishtinë Kiminori Iwama.

Pasi i ka uruar ambasadorit të ri japonez mirëseardhje dhe suksese në mandatin e tij, presidentja Osmani ia përcolli gjithashtu urimet e përzemërta me rastin e datëlindjes së Perandorit Naruhito të Japonisë, e cila sot shënohet nga Ambasada e Japonisë në pritjen e organizuar për nder të kësaj dite.

Presidentja Osmani e vlerësoi Japoninë si një partner strategjik afatgjatë dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, veçanërisht përmes Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA).

Ajo theksoi kontributin e çmuar të Japonisë në zhvillimin e Kosovës në fusha të ndryshme, përfshirë mjedisin, çështjet politike e diplomatike, mediat, pajisjet shëndetësore, sigurinë ushqimore, teknologjinë informative etj.

Osmani theksoi gjithashtu rëndësinë e zgjerimit të mëtejmë të bashkëpunimit në tregti, investime, kulturë, shëndetësi dhe arsim, duke përmendur edhe projektet e bursave arsimore japoneze dhe programeve të shkëmbimit kulturor për të rinjtë e Kosovës.

Ndër të tjera, në këtë takim, presidentja Osmani diskutoi me ambasadorin Iwama për vizitën e saj të planifikuar në Japoni në qershor të këtij viti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat