Në 28 vjetorin e rënies së heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, krerë të subjekteve politike bashkë me kandidatë për deputetë bënë homazhe pranë shtatores së Zahir Pajazitit në sheshin që mban emrin e tij në Prishtinë.
Kandidati për kryeministër nga Koalicioni për “Kosovën Fituese”, Ramush Haradinaj së bashku me anëtarët e tjerë të këtij koalicioni nderuan sakrificën e Pajazitit, Zejnullahut dhe Hoxhes.
Po ashtu, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi bashkë me partiakë të tij, vendosën lule në shenjë nderimi ndaj tre ushtarëve emblematikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përveç këtyre, homazhe pranë shtatores se Zahir Pajazitit bënë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe disa kandidatë për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati dhe anëtarë të tjerë të organizatave të dala nga lufta erdhën për homazhe.
Ndërkaq, pritet që për homazhe të vijnë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Më 31 janar 1997, ndodhi njëra nga betejat e para madhore të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Tre strategët, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, ku edhe zbulohen nga sigurimi serb, të cilët kishin vënë pritë në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë me ata.