Naim Murseli deklarohet i pafajshëm për vrasjen e Liridona Ademajt, Tom Dodaj pranon fajësinë

Aktuale

Naim Murseli deklarohet i pafajshëm për vrasjen e Liridona Ademajt, Tom Dodaj pranon fajësinë

Më: 31 janar 2025 Në ora: 11:18 Përditësuar në ora: 13:20 më 31.01.2025
Pamje nga Gjykata

Vrasja e Liridona Ademajt, Tom Dodaj dënohet me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë për shitjen e armës

Toma Dodaj, i akuzuari i katërt në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, pasi e pranoi fajësinë, është shpallur fajtor dhe dënuar me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë për shitjen e armës.

Dodaj akuzohej për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.

Për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, të akuzuar janë Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj. Ky i fundit akuzohej se ka shitur armën me të cilën është kryer vrasja.

Aktgjykimi ndaj Dodajt u shpall të premten nga gjykatësja Fatime Dermaku, pasi në seancën fillestare i akuzuari Dodaj pranoi fajësinë për veprën që i vihej në barrë.

Paraprakisht, gjykatësja Dermaku pyeti prokuroren dhe mbrojtësin e Dodajt, avokatin Agim Kuçi nëse kërkojnë seancë të veçantë për caktimin e dënimit.

Prokurorja Javorka Perlinçeviq tha se nuk kërkon seancë për caktim të dënimit, edhe avokati Kuçi tha se nuk kërkojnë seancë për caktimin e dënimit për shkak të ndjeshmërisë së rastit, duke shprehur keqardhje për familjen e viktimës.

Deklarimin e të mbrojturit të tij e mbështeti edhe vetë i akuzuari Dodaj.

Më pas, gjykatësja Dermaku tha se i akuzuari dënohet me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë, në dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

I njëjti detyrohet t’i paguajë shpenzimet e procedurës në shumën prej 80 euro dhe 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

Për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, pala e dëmtuar udhëzohet në konstest civil.

Gjykatësja tha se arsyeja pse i akuzuari mori dënim me 5 vite burgim është për shkak të pasojës së rëndë, por meqenëse e ka pranuar fajësinë tha se mendon që me këtë arrihet qëllimi i dënimit.

Paraprakisht, në seancën fillestare, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Kurse, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë, në të cilën thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.

Vrasja e Liridona Ademajt, Naim Murseli deklarohet i pafajshëm, Tom Dodaj pranon fajësinë

Pas pranimit të fajësisë shpallja e aktgjykimit për Tom Dodaj do të ndodh sot në ora 12:40.

I akuzuari, Tomë Dodaj ngarkohet me veprën penale Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse.

Pranimin e fajësisë të Tom Dodajt e pranuan edhe Prokuroria dhe pala e dëmtuar.

Naim Murseli është deklaruar i pafajshëm lidhur më vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademjt.

Ndërsa, i akutuarit Granit Plava ka zgjedhur të mbrohet në heshtje, derisa Kushtrim Kokalla ka thënë se nuk deklarohet rreth fajësisë pa u konsultuar më avokatin e tij. 

Tensione gjatë seancës ndaj Murselit dhe tre të akuzuarve tjerë, vërejtje për avokatin e Kokallës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt. Të akuzuar për vrasjen e 30-vjeçares janë Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tomë Dedaj.

Seanca po shoqërohet edhe me disa tensione ndërmjet kryetares së trupit gjykues, Fatime Dermaku dhe avokatëve të të akuzuarve.

Gjyqtarja Fatime Dermarku i shqiptoi sërish vërejtje Ndrecë Dodajt – avokatit të të akuzuarit Kushtrim Kokalla, për pengim të procesit.

“Nuk ka asnjë kërkesë, Kushtrim a i ke kuptuar të drejtat tua?”, tha gjyqtarja derisa deklaroi se avokati ka pasur kohë të mjaftueshme për konsultim me mbrojtësin e tij.

Gjyqtarja deklaroi se avokati edhe më herët ka pasur vërejtje në mënyrë gojore që të mos pengojë punën e gjykatës dhe të bindet ndaj urdhrave të trupit gjykues.

Avokati i Kokallës kërkoi që t’i mundësohet një konsultim me klientin e tij, pasi siç tha ai, i akuzuari nuk i ka kuptuar të drejtat e tij ligjore.

Prokurorja lexon aktakuzën për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt

Në seancën e gjymtimit fillestar mbrojtësi i Kushtrim Kokallës, Ndrec Dodaj është ankuar se nuk po i hapen CD e pranuara nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Prokurorja e rastit të vrasjes së Liridona Ademajt, Javorka Perlinçeviq tha se të gjitha palët janë të pajisura me shkresat e lëndës përfshirë edhe cd.

Për këtë, kryetarja e trupit gjykues kërkoi nga IT i gjykatës për të vlerësuar se a hapen cd apo jo dhe pas vlerësimit gjyqtarja, Fatime Dermaku tha se cd hapen.

Ndërsa, i akuzuari Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me avokatin e tij, Ndrec Dodaj.

Aktualisht prokurorja e rastit të vrasjes së Liridona Ademajt, Javorka Perlinçeviq është duke e lexuar aktakuzën.

Shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj katër të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt.

Një seancë e tillë ishte paraparë të mbahej më 27 janar, por u ndërpre pak pasi nisi për shkak se avokatët e dy të akuzuarve thanë se nuk kishin pranuar me kohë shkresat e lëndës.

Në nisje të seancës të premten, sërish pati ankesa nga një avokat mbrojtës se kishte pasur vështirësi në qasje në shkresat e lëndës.

Gjyqtarja Fatime Dermaku, njoftoi se më 30 janar ka pranuar një email nga Ndrec Dodaj, avokat i Kushtrim Kokallës, që thotë se CD-të e pranuara për lëndën, nuk hapen.

“Sot kam kërkuar nga mbrojtësi përmes zyrtares time ligjore që të marrë ato CD me vete.

Lidhur me pretendimet e tij kemi ftuar edhe IT e gjykatës për të vërtetuar nëse CD hapen”, tha gjyqtarja Dermaku.

Avokati Dodaj pranoi se i ka marr këto materiale me vete, duke shtuar se ai i ka provuar CD në dy kompjuterë të kolegëve.

Në gjykatore më pas erdhi IT-ja e gjykatës që ia mori CD-të avokatin për të verifikuar hapjen e tyre.

“Kjo po bëhet për të vërtetuar pretendimet e mbrojtësit”, tha gjyqtarja, teksa IT-ja para të gjithëve në sallë hapi të katër CD-të që kishte avokati.Gjyqtarja tha se me këtë konstatohet se materialet janë në rregull dhe se të njëjtat u janë dërguar palëve. Ajo shtoi se me këtë konstatohet se prokurori i shtetit ka përmbushur të gjitha detyrimet, sa i përket materialeve.

Më pas, gjyqtarja vazhdoi me leximin e të drejtave të të akuzuarve. Ishte Kushtrim Kokallla ai që tha se nuk i kuptonte të drejtat. Kjo shtyu avokatin e tij Dodaj që të kërkonte konsultim me klientin.

Por, gjyqtarja i tha avokatit që të mos e pengonte procedurën dhe i shqiptoi vërejtje me shkrim dhe e paralajmëroi se radhës tjetër do ta dënonte me gjobë.

Më pas, avokatja e Naim Murselit, Teuta Zhinipotoku, u ankua për sjelljen e gjyqtares ndaj avokatit të Kokallës, por asaj po ashtu iu tërhoq vërejtja nga gjyqtarja.

Të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre janë të pranishëm në seancën e 31 janarit. Po ashtu, në gjykatore janë të pranishëm babai dhe vëllai i Liridonës.Tom Dodaj, që akuzohet se ka shitur armën që u përdor në vrasjen e Liridonës, është parë duke hyrë në gjykatë, ndërkaq tre të akuzuarit e tjerë janë dërguar në gjykatore nga një hyrje tjetër e gjykatës, larg syrit të mediave.

*Video: Më 27 janar u shty shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt. Avokatët mbrojtës pretenduan se nuk ishin të përgatitur për këtë seancë, pasi nuk kishin pranuar shkresat e lëndësTë akuzuar në këtë rast janë bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli, dhe tre të tjerë, Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe Tom Dodaj.

Më 15 janar të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se kishte ngritur aktakuzë për vrasjen e 30-vjeçares Ademaj.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

Rasti fillimisht ishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”, por dy ditë më vonë autoritetet kishte arrestuar dy persona. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli.

Prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq, deklaroi më 15 janar se jatë kohës që çifti jetonte në Suedi – së bashku me dy fëmijët e tyre – ata kishin pasur “marrëdhënie të trazuara martesore”, si pasojë e të cilave erdhën edhe problemet pronësore.

"Arsyet e tjera që kishte Naimi për të planifikuar dhe kryer këtë vrasje mund t'i mësoni në gjykatë kur të fillojë seanca kryesore", tha Përlinçeviq, e cila tha se gjetja e motivit të vrasjes kishte bërë që procesi i ngritjes së aktakuzës të merrte më shumë kohë.Deri te ky informacion, sipas prokurores, autoritetet erdhën pas bashkëpunimit me shtetin e Suedisë, pasi Prokuroria në Prishtinë kishin kërkuar të dhëna rreth jetës së çiftit dhe marrëdhënies së tyre martesore.

"Vetëm atëherë arritëm të krijojmë një pamje të plotë të jetës së tyre dhe të gjejmë motivin që e shtyu Naim Murselin të marrë vendimin për largimin e Liridonës, për të mos thënë likuidimin e saj, sepse mënyra e kryerjes së veprës tregon qartë një akt të tillë si likuidim", deklaroi Përlinçeviq.

Kryeprokurori i Prokurorisë në Prishtinë, Zejnullah Gashi, gjatë konferencës për media më 15 janar deklaroi se vrasja e kryer nga “anëtari i familjes” u krye në “mënyrë dinake”, prandaj shtoi se pret dënim kapital nga gjykata.

Sipas Prokurorisë, Naim Murseli kishte “planifikuar gjithçka”, ndërkaq Kokalla dhe Plava, sipas organit ndjekës ishin “ekzekutues të drejtpërdrejtë” të Liridonës. I akuzuari i katërt, sipas Prokurorisë është i përfshirë në mënyrë të tërthortë në këtë rast, përkatësisht ai dyshohet se ia kishte shitur armën dorasit.

Murseli, Kokalla dhe Plava gjenden në paraburgim, ndërkaq Dodaj po mbrohet në liri.

Vrasja e Liridona Ademajt kishte shkaktuar zemërim në publik edhe për faktin që bashkëshorti i saj kishte qenë pjesë e ceremonisë së varrimit.

Familja e Liridonës kishte kërkuar zhvarrosjen e trupit të saj, në mënyrë që ajo të varrosej vranë varrezave të prindërve të saj, ndërkaq aktivistët për të drejtat e grave kanë kërkuar që Liridona të mos identifikohej më me mbiemrin e bashkëshortit, por me atë të familjes së saj, Ademaj.

Sipas të dhënave, që nga viti 2010 e deri më tani, në Kosovë janë vrarë afër 60 gra. Në të shumtën e rasteve, dorasit kanë qenë bashkëshortët.

Sipas organizatave që merren me të drejtat e grave, mesazhe “trimëruese” dorasëve është duke u dërguar sistemi i drejtësisë në Kosovë me, siç thuhet, “dënimet e lehta”.

Momenti kur Naim Murseli shikon pamjet e fundit të Liridona Ademajt

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet shqyrtimi fillestar ndaj katër të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt.

Ndonëse njëri nga avokatët tha se ndonëse kanë pranuar materialin, CD nuk i janë hapur për të parë faktet, mirëpo këtë e demantoi gjykata.

Aktualisht në seancë po shfaqen pamjet nga nata fatale.

---------------

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot (e premte) pritet të mbahet seanca fillestare ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt, të cilët ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.

Kjo pasi më 27 janar 2025 kishte dështuar të mbahet seanca fillestare për këtë rast, për shkak se mbrojtja e të akuzuarve nuk ishte pajisur me të gjitha shkresat e lëndës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë, në të cilën thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat