Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministra dhe pjesëtarë të tjerë të kabinetit të tij, bënë homazhe pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti.
Në 28 vjetorin e rënies së Zahir Pajazitit bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, Kurti nderoi ata me një minut heshtje, raporton KosovaPress.
Për homazhe sot ishin edhe krerë të subjekteve politike bashkë me kandidatë për deputetë dhe anëtarë të tyre. Po ashtu, për homazhe ishte edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Ndërkaq, pritet që homazhe të bëjë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
28 vjet më parë ranë heroikisht tre ushtarët emblematikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.
Më 31 janar 1997 ndodhi njëra nga betejat e para madhore të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Tre strategët, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, derisa grupi i tyre zbulohet nga sigurimi serb, të cilët kishin vënë pritë në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë me ta.