Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se më 1 shkurt do të hyjë në fuqi lista zyrtare e çmimeve të produkteve medicinale.
Ai tha se përmes kësaj qytetarët do të kenë barna me çmime më të lira dhe çmime të njëjta.
Megjithatë, Vitia në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë të premten, tha se pret që në muajt e parë të ketë një rezistencë dhe një tronditje të lehtë të tregut farmaceutik, mirëpo nënvizoi se janë të vendosur mos të tërhiqen nga zbatimi i Ligjit për unifikimin e çmimit të produkteve medicinale.
Vitia: Jemi të vendosur të zbatojmë ligjin
“Më në fund i mundësohet qytetarëve të Kosovës që të kenë qasje të drejt dhe me çmime korrekte për barnat. Kanë qenë të njoftuar të gjithë akterët pa dallim dhe ligji do të fillojë të zbatohet. Të gjitha takimet që kemi pasur, jo vetëm me barnatore por edhe më herët gjatë përpilimit të ligjit dhe faza të tjera. Tani nga 1 shkurti kjo do të hyjë në fuqi ligji. Unë sot do të kem takim me Inspektoratin Farmaceutik dhe ftojë të gjitha subjektet që të zbatojnë ligjin, përkundër sfidave që mund t’i kenë në fillim. Ky është një ligj për qytetarët dhe është një ligj i drejt. Natyrisht ata që nuk e zbatojnë do të merren masat adekuate. Është një grup i kompanive të cilët s’kanë paraqitur barnat e caktuara për aplikim për çmimet e barnave të tyre sipas kërkesave ligjore. Ndaj tyre do të merren masat dhe sanksionet bazuar në ligjin aktual. Ky është një proces i pandalshëm dhe jemi të determinuar t’i shkojmë deri në fund”, theksoi Vitia.
Në anën tjetër, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se nuk e di nëse është pezulluar ndonjë mbështetje me vlerë financiare të lartë nga vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndaluar implementimin e programeve të asistencës ndërkombëtare.
Megjithatë, ai u shpreh optimist se pas rishqyrtimit apo rivlerësimeve të konstatohet se Kosova është një prej aleatëve më të mirë të ShBA-së.
Murati: Kosova është një prej aleatëve më të mirë të ShBA-së
“Nuk e di që ka ndonjë mbështetje voluminoze apo me vlerë financiare të lartë që do të krijojë ndonjë hendek. Por gjithsesi ne do të vazhdojmë bashkëpunimin siç kemi bërë deri tani dhe shpresojmë që pas rishqyrtimit dhe rivlerësimit të konstatohet ajo çka ka qenë çdo herë se Kosova është një prej aleatëve më të mirë të ShBA-së”, theksoi Murati./