Ambasadori i Republikës së Kosovës për Marrëdhëniet me NATO-n, Astrit Zemaj, ka marrë pjesë në një mëngjes pune të organizuar në Rezidencën e Ambasadorit të Gjermanisë në NATO, Dr. Geza Andreas von Geyer.
Takimi u mbajt në bashkëpunim me përfaqësuesit e përhershëm të vendeve të QUINT-it në NATO dhe ishte i dedikuar ekskluzivisht për Kosovën.
Në këtë takim morën pjesë u.d. Shefit të Misionit të SHBA-së, Scott Oudkirk, ambasadori i Italisë, Marco Peronaci dhe DPR i Francës në NATO, Julie Thisse.
Ambasadori Zemaj e vlerësoi këtë ngjarje si një tregues të mbështetjes dhe rëndësisë që shtetet aleate, veçanërisht Gjermania, i kushtojnë Kosovës, paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
Diskutimet u fokusuan në sigurinë dhe stabilitetin rajonal, proceset aktuale, përfshirë zgjedhjet parlamentare, integrimin euroatlantik të Kosovës, rolin e KFOR-it si dhe mundësitë për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në kuadër të NATO-s.
Zemaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen shumëdimensionale që Kosova ka marrë nga shtetet aleate dhe për angazhimin e trupave të KFOR-it në Kosovë.
Ai gjithashtu falënderoi Gjermaninë dhe aleatët për punën e Ekipit NALT – Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe integrimit të Kosovës si një partner i besueshëm për sigurinë rajonale dhe më gjerë.