Çun Lajçi: “Toka i vuan të zezat e liderëve kur punojnë për veten, jo për atdheun”

Aktuale

Çun Lajçi: “Toka i vuan të zezat e liderëve kur punojnë për veten, jo për atdheun”

Më: 31 janar 2025 Në ora: 20:05
Çun Lajçi

Aktori dhe shkrimtari i njohur Çun Lajçi ka reaguar me një mesazh të fuqishëm mbi liderët politikë dhe rolin e tyre në fatin e kombit. Në një postim në Facebook, ai kritikon ata që, sipas tij, punojnë për interesat personale dhe jo për të mirën e vendit.

Duke iu referuar figurave të ndryshme politike, nga Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti te Hashim Thaçi, Lajçi thekson se ata kanë pasur përpjekjet e tyre për shtetin, por në të njëjtën kohë edhe për veten. Ai apelon që njerëzit të mos merren vetëm me mallkime, por të veprojnë për të ndryshuar realitetin.

“Kjo tokë nuk flet me gjuhën e urrejtjes, siç flisni ju kur mbushni sallat, valvitni flamujt dhe brohorisni për liderin fjalë që s’përtypën!”, shkruan ai, duke kritikuar mentalitetin e ndjekjes verbërisht të liderëve.

Në vijim, Lajçi sjell në vëmendje figurat historike si Hasan Prishtina, Luan Haradinaj dhe Xhafer Deva, por thekson se më shumë duhet të përmenden Adem dhe Hamza Jashari, duke lënë të kuptohet se disa personazhe të sotëm politike nuk e meritojnë të njëjtin përkushtim nga populli.

“Nëse s’përmbaheni, nëse ju shpërthen mllefi, atëherë mallkoni veten që nuk i lëvroni mendjet tuaja me pluhun tuaj dhe nuk mbillni farën për së mbari!” – shkruan Lajçi, duke i bërë thirrje shqiptarëve që të ndryshojnë qasjen e tyre ndaj politikës dhe drejtuesve të vendit.

Ai e mbyll mesazhin e tij me një reflektim të fortë:
“Liderët vijnë e shkojnë, por toka i vuan të zezat që i bëjmë ne!”

Ky postim ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku qytetarët janë ndarë mes mbështetjes dhe kritikës për mesazhin e fortë të Çun Lajçit mbi politikën shqiptare.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat