Koloneli në pension i Policisë së Kosovës, Rrahman Sylejmani, ka folur për incidentet e armatosura që po ndodhin në Kosovë, veçanërisht në rrugë dhe në klubet e natës.
Sylejmani theksoi se aktivitetet e Policisë në aspektin e parandalimit të krimit nuk janë të mjaftueshme dhe se incidente të tilla ndodhin çdo ditë në të gjithë Kosovën.
Ai vuri në dukje se veprimet e Policisë nuk janë adekuate për të parandaluar krimet, veçanërisht pasi që fokusi i tyre është më shumë në luftimin e krimit pasi ai ndodh, sesa në parandalimin e tij.
Sylejmani propozoi disa masa që Policia e Kosovës duhet të ndërmarrë për të përmirësuar situatën.
Në radhë të parë, ai sugjeroi rritjen e pranisë policore në zonat publike përmes patrullimeve më të shpeshta dhe prezencës së dukshme të forcave të rendit në vendet me frekuentim të lartë, si kafiteritë, klubet e natës dhe sheshet publike.
“Prania e dukshme e policisë në vendet e frekuentuara si kafiteritë dhe klubet e natës do të dekurajonte aktivitetet kriminale. Gjithashtu, monitorimi i personave me precedentë penalë dhe kontrollet e shpeshta për gjetjen dhe konfiskimin e armëve të paligjshme janë të domosdoshme”, theksoi Sylejmani në Tv Dukagjini.
Një masë tjetër që Sylejmani e konsideroi të rëndësishme është përdorimi i teknologjisë për monitorim dhe mbikëqyrje.
Ai theksoi rëndësinë e instalimit të kamerave të sigurisë në bashkëpunim me bizneset lokale dhe përdorimin e sistemeve të avancuara të mbikëqyrjes, veçanërisht për individët me të kaluar penale. Ai gjithashtu sugjeroi përdorimin e hallkave elektronike për monitorimin e personave të tillë.
Sylejmani theksoi edhe rëndësinë e kontrollit më të rreptë të armëve të paligjshme, duke thënë se një numër i madh i armëve vazhdon të jetë në duart e njerëzve që mund t’i përdorin ato për qëllime kriminale.
Ai sugjeroi që kontrollet të bëhen më të shpeshta, sidomos në vendet kyçe dhe udhëkryqet.
Përveç kësaj, Sylejmani vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit me komunitetin dhe rolin e policisë së lagjes në parandalimin e krimit.
“Përmes Policisë së Kryeqytetit dhe rritjes së kapaciteteve të sigurisë, pres që të ketë një përmirësim të ndjeshëm në parandalimin e krimeve,” shtoi ai.
Sylejmani beson se këto masa, së bashku me krijimin e Policisë së Kryeqytetit në Prishtinë, do të ndihmojnë në përmirësimin e sigurisë dhe parandalimin e krimeve në Kosovë.