Lëvizja Vetëvendosje ka zhvilluar tubime në disa fshatra të Prizrenit. I dyti i LVV-së, Glauk Konjufca përveç që ka vizituar qytetin, ai ka takuar edhe simpatizantë të LVV-së në fshatra.
Nga Korisha, Konjufca dhe kandidatët tjerë për deputetë kanë kërkuar që të votohet Lëvizja Vetëvendosje. Në tubim kanë folur edhe kandidatët tjerë për deputetë. “Si Cep më cep Kosovës edhe në Prizren, qytetarët janë bashkuar për fitoren e 500 mijë zemrave”, kanë thënë ata njëzëri.
Vetëvendosje ka mbajtur një tubim elektoral edhe në fshatin Mushnikovë të Prizrenit, vend të cilin Glauk Konjufca që është i dyti në listën zgjedhore të kësaj partie e quajti shembull për fqinjësi, bashkëjetesë e harmoni mes banorëve, pa dallime.
“Sot, bashkë me kandidatë për deputetë u pritëm ngrohtë nga banorët e fshatit. Shtrirja e sovranitetit, zhvillimi ekonomik si dhe ngritja e buxhetit janë disa nga të arriturat gjatë qeverisjes sonë që qytetarët i bënë të mos duan kthim prapa. Qytetarët duan zhvillim, e zhvillimin e sjellë numri 118, e sjellë Lëvizja Vetëvendosje, përmes zotimeve dhe programeve tona qeverisëse”.
Gjithashtu, Konjufca ka vizituar edhe një kompani që prodhon uniforma profesionale.
Ai tha se me punë dhe profesionalizëm, kjo kompani ka arritur të prodhojë produkte cilësore të cilat mbulojnë tregun vendor.
“Në mandatin e ardhshëm do të punojmë për të rritur prodhimin dhe eksportin duke mbështetur prodhuesit tanë cep më cep”, ka thënë ai.