Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se po shënohet një hap i rëndësishëm në reformimin e sektorit farmaceutik, fillimin e zbatimit të listës zyrtare të çmimeve të barnave, nga data 1 shkurt 2025.
MSh thekson se me këtë po garantojnë rregull dhe transparencë në tregun farmaceutik, në të cilin përfitues më të mëdhenj do të jenë qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Jemi të vetëdijshëm se fillimi nuk do të jetë i lehtë, do të ketë sfida, por jemi të përkushtuar që ky ndryshim të sjellë përfitime afatgjata për të gjithë, me theks të veçantë për qytetarët tanë. Për të siguruar respektimin e ligjit, si dhe mbrojtjen e interesave të pacientëve, por edhe palëve tjera të përfshira, Inspektorati Farmaceutik do të jetë plotësisht i angazhuar, për të monitoruar dhe zbatuar këtë reformë legjislative. Nga java tjetër do fillojnë afatet për deklarim të çmimeve të produkteve medicinale, përfshirë edhe produktet medicinale që janë regjistruar për herë të parë. Andaj, ftojmë të gjitha palët e interesuara të bashkëpunojnë në këtë proces, për një treg farmaceutik më të drejtë dhe më të qëndrueshëm për të gjithë, thuhet në njoftim.
Ministria e Shëndetësisë shton se do të jetë e angazhuar maksimalisht që zbatimi i këtij ndryshimi legjislativ të jetë më i lehtë dhe të tejkalohen sfidat eventuale që mund t'i hasim gjatë zbatimit.