Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndajë 500 mijë euro ndihmë për popullin palestinez në Gaza.
Këtë vendim të qeverisë e kanë cilësuar si të qëlluar dhe gjeste human shumë qytetarë.
Xhavit Qorolli thotë se edhe Kosova është ndihmuar nga vendet e tjera gjatë kohës së luftës.
Qorolli: Edhe ne jemi ndihmuar nga vendet e huaja gjatë luftës
“E vlerësoj shumë mirë, humanizëm i vërtetë, për njerëzit e vrarë, të sakatuar nga Izraeli. Shumë vendim i qëlluar, duhet ndihmuar njerëzit në nevojë. Edhe neve nga kanë ndihmuar gjatë luftës shtetet e ndryshme. Edhe ne kemi mundësi, pse të mos ndihmojmë”, ka thënë Qorolli.
Edhe qytetari tjetër Selman Fazliu e quan të qëlluar vendimin për t’iu dalë në ndihmë popullit palestinez pas përfundimit të konfliktit në Gaza.
Fazliu: Ne e dimë më së miri sepse i kemi përjetuar edhe vetë vështirësitë
“Normal që është mirë, sikur të kishte më shumë mundësi do të kishte qenë më mirë, por këto kanë qenë mundësitë sigurisht. Detyrimisht duhet ndihmuar njerëzit, pasi ata janë në gjendje shumë të vështirë. Më së miri e dimë ne se çka do të thotë, sepse e kemi përjetuar vetë. Kështu që është shumë e qëlluar... Ai popull është në gjendje të vështirë tani... Populli nuk ka faj, njerëzit janë të pafajshëm, politika anash”, tha Fazliu.
Qamil Hajdari thotë se duhet të ndihmohen të gjithë popujt që përballen me luftë.
Hajdari: Nuk mund të themi shkaku i resë më vdektë djali
“Nëse e ka marrë vendim qeveria, diçka ka punuar, ka hulumtuar për çka duhet, nëse është për popull qysh kemi vuajtur ne, duhet me dhënë edhe ne populli për ata njerëz, sepse ne e kemi përjetuar para tyre. Nëse nuk e ka bërë vetëm hajt prej mendjes së madhe, është pak keq. Ne po e shohim se çfarë po heq populli, çfarë lufte e tmerrshme u bë atje. Tash nuk mund të themi shkaku i resë më vdektë djali. Një ndihmë duhet dhënë çdo popull, jo vetëm ne kosovarët. E përkrah plotësisht, jo vetëm për palestinezët, po për çdo popull që përjeton luftën”, ka thënë Hajdari.
Kujtojmë, vendimi i Qeverisë vjen gjatë fushatës zgjedhore, por Albin Kurti tha se Qeveria shpreson për paqe afatgjatë në rajon dhe gjetjen e një zgjidhje midis izraelitëve dhe palestinezëve në formatin me dy shtete.
Kryeministri aktual ka përshëndetur armëpushimin e arritur ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, i cili do t’i jep fund konfliktit prej gati një vit e gjysmë.
Ai tha se faza e parë e armëpushimit parasheh lejimin e ndihmave dhe për këtë arsye Kosova do të ndihmojë palestinezët në Gaza me 500 mijë euro.
Konflikti në Gaza shpërtheu pasi Hamasi kreu sulme terroriste më 7 tetor 2023 duke marre pengje izraelite.