Çun Lajçi: "Zgjidhni, të lirë jeni! Por mos më gjykoni mua!"

Aktuale

Çun Lajçi: "Zgjidhni, të lirë jeni! Por mos më gjykoni mua!"

Më: 1 shkurt 2025 Në ora: 15:02
Foto ilustrim

Aktori dhe shkrimtari i njohur Çun Lajçi ka bërë një tjetër postim të fuqishëm në Facebook, ku shpreh shqetësimin e tij për politikën dhe mashtrimet që ai beson se i janë bërë popullit shqiptar gjatë dy dekadave të fundit. Me një gjuhë të fortë metaforike, ai paralajmëron se plagët ende nuk janë tharë dhe se çdo përpjekje për të rihapur debatet e vjetra mund të sjellë më shumë ndasi dhe dhimbje.

"Mos ma gërvishtni dregëzën me emra që mashtrojnë popullin, jo vetëm sot, por tash e 20 vjet," shkruan ai, duke vënë në dyshim sinqeritetin e politikanëve që kanë qeverisur Kosovën gjatë kësaj periudhe. Ai bën thirrje për mosbesim ndaj atyre që "ndërrojnë gëzofin sa herë kërkojnë pushtetin."

Në një analizë të ashpër, Lajçi i krahason politikanët me lisa të mbuluar me myshk, që nga jashtë duken të fortë, por mund të jenë të kalbur brenda. Ai thotë se i beson vetëm "filizit të dalur nga cunguj të përgjakur, i djegur rrufesh," duke lënë të kuptohet se e ardhmja i përket brezave të rinj dhe jo atyre që kanë qeverisur deri më tani.

Postimi i tij ngre pyetjen e drejtpërdrejtë për zgjedhjen mes figurave kryesore politike: "Albini? Ramushi? Bedriu apo Lumiri?" – një dilemë që pasqyron debatet dhe ndarjet brenda opinionit publik në prag të zgjedhjeve.

Në fund, Lajçi u bën thirrje qytetarëve të jenë të lirë në zgjedhjen e tyre, por kërkon që ai të mos gjykohet për bindjet e tij:
"Ju mos i besoni shijes sime, sepse ajo mund të jetë e idhët për qarjet tuaja të pafundme!"

Ky postim ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, duke rritur edhe më tej debatin mbi figurat politike dhe të ardhmen e Kosovës.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat