Haradinaj nuk ia ndal kritikat Kurtit: Jam i zhgënjyer me paraqitje në fushatë

Aktuale

Haradinaj nuk ia ndal kritikat Kurtit: Jam i zhgënjyer me paraqitje në fushatë

Më: 1 shkurt 2025 Në ora: 20:37
Ramush Haradinaj

Kandidati për kryeministër nga koalicioni për Kosovën Fituese Ramush Haradinaj u shpreh i zhgënjyer me paraqitjen e kryeministrit aktual Albin Kurti dhe kabinetit të tij në fushatën elektorale, duke thënë se “po lënë një dëshmi të keqe prapa vetes.”

Në tubimin elektoral në Viti, Haradinaj u zotua për uljen e çmimit të energjisë elektrike, anëtarësimin në NATO dhe përmirësimin e gjendjes ekonomike.

Haradinaj: Jam i zhgënjyer me Kurtin

“Unë e kam përcjellë hapjen e fushatës dhe proceseve të tjera, më besoni jam i zhgënjyer jo me konkurrentin ose me atë që po shkon. Por, jam i zhgënjyer me figurën që po e jep si kryetar i qeverisë së vendit. Jam i zhgënjyer me dëshminë e keqe që po e lënë i gjithë kabineti i tij”, tha Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se e vetmja mënyrë për të pasur siguri të plotë është anëtarësimi në NATO.

Haradinaj: Hyrja në NATO ofron siguri të plotë për Kosovën

“E vetmja mënyrë për të pasur siguri të plotë e të përjetshme në këtë hemisferën ku jetojmë ne, se gjeografia do të thotë shumë, pra ku je. E vetmja mënyrë për të pasur siguri të plotë është anëtarësimi në NATO. E vetmja kohë për ne, për t’u anëtarësuar në NATO, se edhe koha është në pyetje. Shansi i vetëm për të hyrë është përmes planit aksional direkt në NATO. Ka udhëheqës të shtetit që guxojnë të thonë nuk bëhet për tre muaj. Ju lutem nuk janë tre muaj. Së pari janë dy vjet të qeverisjes time para se me dhënë dorëheqje. Dy vjet është punuar për t’u bërë ushtria. Njëjtë është për t’u bërë edhe NATO. Nga votimi i ushtrisë e deri sot, kurrë nuk jam ndalur dhe vazhdimisht jam kthyer sa herë kam mundur”, tha Haradinaj.

Haradinaj u premtoi qytetarëve të Vitisë se do ta ulë çmimin e energjisë elektrike si dhe do ta përgatisë ligjin e ri për investime strategjike.

Haradinaj: Do ta përgatisim ligjin e ri për investime strategjike

“Na është shtrenjtuar energjia dy herë, faturat janë shtrenjtuar. Nuk ka familje, as biznes që nuk është prekur. Po ju siguroj se po të vazhdonte ky (Kurti), shyqyr që po shkon se do të na rritej çdo tre muaj, sepse edhe ky dhe ata shokët e tij që po akuzohen për keqpërdorime në energji, kuptohet që është parë dhe vërtetuar qëllimi i tyre. Unë po ju them votoni 137, se do ta ulim çmimin e energjisë...E zhvilloj ekonominë e vendit. Ne kemi pasur një ligj për investime strategjike ose për investitorë strategjikë. AAK qenë e përgatitur me kritere të vështira dhe të larta veç për kompani të huaja. Do ta përgatisim ligjin e ri për investime strategjike. Çdo kush mund të bëhet aksionar, diaspora jonë, me 1 mijë euro me pesë mijë, 10 mijë aq sa ka”, tha Haradinaj.

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se Vitia ka një milion arsye për t’i thënë “jo” atyre që kanë qeverisur katër vjetët e fundit. Ai tha se dëshmorët nuk duhet kujtuar vetëm njëherë në katër vjet në fushata elektorale.

Limaj: Dëshmorët nuk kujtohen një herë në katër vjet, aq më pak në fushata

“Dëshmorët nuk kujtohen njëherë në katër vite, aq më pak në fushata elektorale. Ata janë në mesin tonë. Ata na shohin dhe ne i shohim përmes punës dhe veprave. Nderimi ndaj atdheut, nderimi ndaj së kaluarës dhe objektivat për të ardhmen tregojnë veprat dhe punët që ju i bëni për atdheun. Posaçërisht juve shokëve të luftës e kam një porosi. Për 4 vite jeni ofenduar, jeni fyer. Katër vjet iu kanë mbyllur dyer. Katër vjet jeni sorollatur e asnjë zyre nuk iu ka hapur. Për katër vite shokët tanë invalidë s’kanë mundur një protezë ta ndërrojnë. Për katër vjet djemtë që kanë pasur nevojë për rehabilitime njerëzore s’iu kanë dhënë mundësia. Katër vjet janë tallur e kanë dashur ta përmbysin lavdinë tonë. Koha është që t’ia tregoni vendin më 9 shkurt. Anamorava, Vitia ka një milion arsye për t’i thënë jo atyre që kanë qeverisur për katër vjet. Njeriu duhet të jetë shumë i paturpshëm për të qenë i pandershëm. Është turp për ata që kanë qeverisur për katër vjet të vijnë e të kërkojnë vota në Viti. Çka bënë ata për katër vjet për Vitinë dhe Anamoravën? Ne nuk e ndotim gjuhën tonë me atë që bëjnë të tjerët”, tha Limaj.

Premtime për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Vitisë kanë dhënë edhe kandidatët për deputetë nga kjo komunë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat