Lëvizja Vetëvendosja ka mbajtur sot në tubim parazgjedhor në sheshin “Mehë Uka” në Mitrovicë.
Kreu i LVV-së dhe kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se sot, kushdo mund të shkojë kurdo andej Ibrit, për punë, për pushim apo për qejf, në ditët e javës apo të fundjavës, e sidomos qytetarët e Mitrovicës.
Kurti u shpreh se “1000 lajme të rreme nuk mund ta mposhtin të vërtetën. Sot në veri të Kosovës valon flamuri i Republikës së Kosovës, policia dhe ushtria e Kosovës janë më të forta se kurrë më parë, Kosova është një nga vendet me rritjen më të madhe ekonomike e ngritjen më të lartë demokratike. Këto janë të vërtetat e popullit që s’ka portal e analist që t’i shtrembërojë.”
“Të gjitha komunat në Republikën e Kosovës janë anëtare të Asociacionit të Komunave të Kosovës. Komuna e fundit që është anëtarësuar aty është komuna veriore e Mitrovicës më 22 gusht 2023. E falënderoj kryetarin Erden Atiqi, që është me neve këtu sonte, bashkë edhe me kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Etemin, për këtë iniciativë të kurorëzuar suksesshëm. Asociacioni i Komunave të Kosovës është plotësuar e kompletuar”, nënvizoi kryeministri Albin Kurti.
Në vazhdim të fjalës së tij, kryeministri Kurti theksoi se rritja e ekonomisë, shpërndarja e mirëqenies dhe shtrirja e sovranitetit janë ardhmëria e dëshiruar që tashmë po ndodh, duke shtuar edhe se kjo dekadë është e Mitrovicës dhe e VETËVENDOSJE!-s, e ky shekull është i Republikës dhe i shqiptarëve.
“E luftuam me shumë sukses krimin e organizuar dhe korrupsionin, u mbyllën dhjetëra laboratorë të drogës e prodhime ilegale të kriptovalutave, u mbyllën dhjetëra rrugë ilegale e u vendos rend në çdo cep të territorit të vendit. E tash, në veri të Kosovës, edhe paguhet energjia elektrike që konsumohet, edhe janë shuar strukturat ilegale të Serbisë, e kriminelët e tyre, nëse s’janë vrarë, ose janë në burg ose janë arratisur jashtë prej vendit tonë”, theksoi kryeministri Albin Kurti.
Në vijim, ai shtoi se me qeverisjen tonë, buxheti për komuna është rritur me 44%, sepse duam t’i ndihmojmë qytetarët tanë në çdo komunë. Po ashtu, foli edhe për rritjen e pagave përgjatë këtij 4-vjeçari, duke premtuar se paga minimale do të shkojë mbi 500 euro.
Në fjalën e tij përballë qytetarëve të Mitrovicës, kryeministri Kurti përmendi edhe kryetarin e kësaj komune, i cili si Guvernator i BQK-së nuk u mor fare me dinarin serb si mjet pagese, por edhe kur ishte Ministër i Financave nuk u kujtua që ka nëna lehona e fëmijë që kanë nevojë për mbështetje financiare. Ai e ftoi publikisht atë që të shkojë në veri, në zyrën e kryetarit të komunës veriore, Erden Atiqit, të cilit nuk ia uroi as fitoren. “Edhe atje është Republika e Kosovës”, theksoi kryeministri Kurti.
Ai premtoi se do të ndërtojmë spital të ri në Mitrovicë dhe Ferizaj, e sa i përket Trepçës, tha se asaj ia kemi kthyer terminalin rajonal dhe se do ta fusim nën ombrellën e Fondit Sovran, si dhe do t’ia zgjerojmë prodhimin përmes hapjes së punishteve të reja të nxjerrjes së zejes, duke ia rikthyer edhe industrinë e plumbit dhe të zinkut. Njëkohësisht, foli edhe për përfundimin e rrugës Mitrovicë-Prishtinë dhe stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë.
Sa i përket votës së diasporës, kryeministri Albun Kurti bëri thirrje që nga jashtë Kosovës të votojnë sa më parë e pa u vonuar, ata të cilët kanë bërë regjistrimin, e më datën 8 shkurt të votojnë ata që janë regjistruar për votim në ambasada e konsullata.
“Në mbrëmjen e 9 shkurtit, nga kutitë e votimit, në diasporë dhe Kosovë, të shpërthejnë 500 mijë zemra për fitoren më të madhe, historike, rekord e të paparë në Kosovën e pasluftës”, tha kryeministri Albin Kurti, duke e përmbyllur këtë tubim të mrekullueshëm në Mitrovicë, që shënoi edhe një hap më shumë e më afër fitores së madhe, që mban numrin 118, njofton LVV.