Tragjedia në Jabllanicë të Gjakovës, tre të rinj mbetën të vdekur – këto janë detajet e reja mbi rastin tragjik

Aktuale

Tragjedia në Jabllanicë të Gjakovës, tre të rinj mbetën të vdekur – këto janë detajet e reja mbi rastin tragjik

Më: 2 shkurt 2025 Në ora: 01:19 Përditësuar në ora: 13:32 më 02.02.2025
Foto nga vendi i ngjarjes

Prokuroria hap rast për vdekjen tragjike të tre fëmijëve në Jabllanicë

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka hapur rast për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” pas vdekjes tragjike të tre fëmijëve të shtunën pas shembjes së një objekti në Jabllanicë të Gjakovës.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, në lidhje me ngjarjen tragjike që ka ndodhur në fshatin Jabllanicë, Komuna e Gjakovës, informon se dje në mesnatë nga Policia e Kosovës, është njoftuar se është shembur një objekt i pabanuar, duke rezultuar me humbjen e jetës së tre (3) personave të mitur, të cilët fatkeqësisht ndodheshin brenda tij në momentin e shembjes.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë Kryeprokurori, prokurori kujdestar, të gjitha njësit përkatëse të Policisë së Kosovës, si dhe ekipi mjekësor që ka konfirmuar vdekjen e fëmijëve.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), si dhe është inicuar rast "Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm".

"Prokurori i Shtetit, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti", njofton Prokuroria Themelore Gjakovë.

Objekti që u mori jetën tre fëmijëve dikur ishte shitore, i pabanueshëm që 25 vite

Tani më shumë detaje nga vdekja e tre të mitruve në Gjakovë.

Banorët e fshatit Jabllanicë kanë bërë të ditur se objekti që u shemb ditën e djeshme kishte shërbyer dikur si shitore, por që për 25 vite kishte mbetur i pabanueshëm.

Ky informacion është bërë publik nga banorët e zonës, pas tragjedisë ku tre fëmijë humbën jetën duke ngelur nën rrënoja.

Ata pohojnë se ky objekt nuk ishte përdorur për asnjë funksion tjetër gjatë kësaj periudhe.

Ende asnjë detaj i ri nga Prokuroria e Gjakovës mbi rastin tragjik të vdekjes së tre fëmijëve

Tre fëmijë humbën jetën si pasojë e shembjes së një objekti të pabanuar në fshatin Jabllanicë të Gjakovës.

Ajo se çka dihet deri më tani është se viktimat ishin brenda këtij objekti, në momentin kur u shemb pllaka e cila i zuri poshtë.

Sipas burimeve, objekti në fjalë ishte i vjetër.

Media ka kontaktuar me Prokurorinë e Gjakovës, për të mësuar detaje të reja në lidhje me rastin.

Por, edhe pas insistimit të mediumit, organi i akuzës nuk dha detaje të tjera përveçse atyre që tashmë dihen për publikun.

“Prokurori i Shtetit, në koordinim me Policinë e Kosovës, janë duke i ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast dhe në këtë fazë nuk mund të ndajmë më shumë detaje”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Gjakovës.

Pamje nga momenti tragjik në Jabllanicë

Tashmë janë bërë publike pamjet e kamerave të sigurisë, ku zbardhin momentin tronditës të shembjes së objektit në Jabllanicë, ku si pasojë humbën jetën tre të mitur.

Në pamjet e publikuara, ani se kamerat në distancë, arrihet goxha qartë të dëgjohet një zhurmë shembjeje duke nxjerrë dhe pluhurin më pas që shihet ta mbulonte zonën.

Rrënimi i këtij objekti sipas orës që figuron në pamjet e sigurta, ndodhi në 16.35h.

Për më shumë, ndiqni anën e djathtë të incizimit.

Drejtoria e Arsimit në Gjakovë: Me dhimbje të thellë pranuam lajmin për vdekjen e nxënësve tanë

Drejtoria e Arsimit në Gjakovë, ka reaguar pas tragjedisë që ndodhi mbrëmjen e së shtunës në fshatin Jabllanicë të kësaj komune.

Me këtë rast DKA-ja e Gjakovës, përmes një komunikate iu ka shprehur ngushëllime familjeve dhe kolektivit të shkollave ku ishin nxënësit, Ramë Mehmeti, Ideal Rama dhe Veton Morina.

“Pushoni në paqe engjujt tanë”, thuhet në njoftim.

Ngjarja e rëndë ndodhi teksa tre fëmijet ndodheshin brenda një objekti të pabanuar, ku ndodhi edhe shembja e pllakës, që i zuri poshtë.

Presidentja Osmani shpreh ngushëllime për vdekjen e tre të miturve në Jabllanicë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime mbi vdekjen tragjike të tre të miturve në Jabllanicë të Gjakovës.

“Me zemër të rënduar dhe dhimbje të thellë morëm lajmin tragjik për humbjen e jetës së tre fëmijëve në Jabllanicë të Gjakovës, të cilët u shuan para kohe si pasojë e rrënimit të një objekti të pabanuar.

Nuk ka fjalë që mund ta lehtësojë dhimbjen e familjeve që sot po përballen me boshllëkun e pafund që lë pas humbja e më të dashurve të tyre.

Në këtë moment të rëndë pikëllimi, ndajmë me ju dhembjen e papërshkrueshme, duke shprehur ngushëllimet e sinqerta dhe duke qëndruar pranë jush me mendje e zemër.

Shpirtrat e tyre të njomë u prehshin në paqe!”, shkruan ajo.

​Konjufca kërkon hetim për rastin e vdekjes së tre fëmijëve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i ka shprehur ngushëllime familjarëve të tre fëmijëve që humbën jetën në fshatin Jabllanicë të Gjakovës.

Konjufca ka shkruar në Facebook se është e dhimbshme dhe e papërshkrueshme humbja e jetëve të tre të miturve në Jabllanicë të Gjakovës.

“Bëj thirrje që në kohën sa më të shpejtë të kemi hetim të imtësishëm e të tërësishëm të rastit.

Shpreh ngushëllimet e mia për familjarët që humbën më të dashurit e tyre, në këto momente jashtëzakonisht të vështira për ta dhe gjithë shoqërinë tonë, duke u lutur që të gjejnë forcën për ta përballuar këtë humbje kaq të madhe”, ka shkruar ai.

Çka thuhet në raportin e policisë për rastin tragjik në Gjakovë?

Përmes raportit 24 orësh Policia e Kosovës është deklaruar për rastin tragjik që ka ndodhur mbrëmë në Jabllanicë të Gjakovës, kur tre të mitur kanë vdekur pas shembjes së një objekti.

Në raport thuhet se objekti është shembur në rrethana të panjohura dhe se rasti është kualifikuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

“SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM- Jabllanicë, Gjakovë 01.02.2025-23:00. Raportohet se në rrethana të panjohura është shembur një objekt, dhe si pasoj tre viktimat meshkuj kosovarë të mitur të cilët kanë qenë duke qëndruar brenda saj janë zënë nga pllaka.

Në vendin e ngjarjes kanë dal të gjitha njësitet përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimave. Me vendim të prokurorit, trupat e pa jetë janë dërguar në IML për obduksion.”

Këta janë tre të rinjtë që mbetën të vdekur në Gjakovë

Media mbrëmë raportoi për një ngjarje tragjike që ndodhi në Jabllanicë të Gjakovës, ku 3 fëmijë kanë mbetur të vdekur si pasojë e shembjes së një shtëpie të pabanuar.

Media mëson se viktimat janë: Ideal Ramaj, Ramë Mehmetaj dhe Veton Morina.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, ku kanë dhënë detaje të reja.

“Më datë 1 shkurt 2025, rreth orës 22:50, jemi njoftuar se në fshatin Jabllanicë është rrëzuar pllaka e një shtëpie të pabanuar, duke zënë poshtë tre fëmijë. Në vendngjarje kanë dalë njësitë e nevojshme policore, si dhe ekipet e emergjencës, përfshirë ambulancën dhe zjarrfikësit. Personeli mjekësor ka konstatuar në vendngjarje vdekjen e viktimave. Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit në koordinim me të cilin, aktualisht janë duke u ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore”, tha  zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Tragjedia në Jabllanicë, reagon kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka reaguar pas tragjedisë që ndodhi në Jabllanicë, ku humbën jetën tre fëmijë.

Ai shprehu dhimbjen për këtë ngjarje tragjike dhe dërgoi ngushëllime për familjet e prekura.

“Jam i tronditur nga lajmi për humbjen e jetës së tre fëmijëve në Jabllanicë sonte! Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet! Nuk ka fjalë që e shprehin dhimbjen!” - tha Gjini.

Ai theksoi nevojën për mbështetje në këto momente të vështira. “Le të bëjmë krejt çka mundemi të jemi me familjet në këto çaste të rënda! Qofshin të parajsës engjujt!”, përfundoi i pari i komunës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat