Tragjedia në Jabllanicë: Këta janë tre të rinjtë që mbetën të vdekur në Gjakovë

Aktuale

Tragjedia në Jabllanicë: Këta janë tre të rinjtë që mbetën të vdekur në Gjakovë

Më: 2 shkurt 2025 Në ora: 01:15 Përditësuar në ora: 10:19 më 02.02.2025
Foto nga vendi i ngjarjes

Drejtoria e Arsimit në Gjakovë: Me dhimbje të thellë pranuam lajmin për vdekjen e nxënësve tanë

Drejtoria e Arsimit në Gjakovë, ka reaguar pas tragjedisë që ndodhi mbrëmjen e së shtunës në fshatin Jabllanicë të kësaj komune.

Me këtë rast DKA-ja e Gjakovës, përmes një komunikate iu ka shprehur ngushëllime familjeve dhe kolektivit të shkollave ku ishin nxënësit, Ramë Mehmeti, Ideal Rama dhe Veton Morina.

“Pushoni në paqe engjujt tanë”, thuhet në njoftim.

Ngjarja e rëndë ndodhi teksa tre fëmijet ndodheshin brenda një objekti të pabanuar, ku ndodhi edhe shembja e pllakës, që i zuri poshtë.

Presidentja Osmani shpreh ngushëllime për vdekjen e tre të miturve në Jabllanicë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime mbi vdekjen tragjike të tre të miturve në Jabllanicë të Gjakovës.

“Me zemër të rënduar dhe dhimbje të thellë morëm lajmin tragjik për humbjen e jetës së tre fëmijëve në Jabllanicë të Gjakovës, të cilët u shuan para kohe si pasojë e rrënimit të një objekti të pabanuar.

Nuk ka fjalë që mund ta lehtësojë dhimbjen e familjeve që sot po përballen me boshllëkun e pafund që lë pas humbja e më të dashurve të tyre.

Në këtë moment të rëndë pikëllimi, ndajmë me ju dhembjen e papërshkrueshme, duke shprehur ngushëllimet e sinqerta dhe duke qëndruar pranë jush me mendje e zemër.

Shpirtrat e tyre të njomë u prehshin në paqe!”, shkruan ajo.

​Konjufca kërkon hetim për rastin e vdekjes së tre fëmijëve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i ka shprehur ngushëllime familjarëve të tre fëmijëve që humbën jetën në fshatin Jabllanicë të Gjakovës.

Konjufca ka shkruar në Facebook se është e dhimbshme dhe e papërshkrueshme humbja e jetëve të tre të miturve në Jabllanicë të Gjakovës.

“Bëj thirrje që në kohën sa më të shpejtë të kemi hetim të imtësishëm e të tërësishëm të rastit.

Shpreh ngushëllimet e mia për familjarët që humbën më të dashurit e tyre, në këto momente jashtëzakonisht të vështira për ta dhe gjithë shoqërinë tonë, duke u lutur që të gjejnë forcën për ta përballuar këtë humbje kaq të madhe”, ka shkruar ai.

Çka thuhet në raportin e policisë për rastin tragjik në Gjakovë?

Përmes raportit 24 orësh Policia e Kosovës është deklaruar për rastin tragjik që ka ndodhur mbrëmë në Jabllanicë të Gjakovës, kur tre të mitur kanë vdekur pas shembjes së një objekti.

Në raport thuhet se objekti është shembur në rrethana të panjohura dhe se rasti është kualifikuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

“SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM- Jabllanicë, Gjakovë 01.02.2025-23:00. Raportohet se në rrethana të panjohura është shembur një objekt, dhe si pasoj tre viktimat meshkuj kosovarë të mitur të cilët kanë qenë duke qëndruar brenda saj janë zënë nga pllaka.

Në vendin e ngjarjes kanë dal të gjitha njësitet përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimave. Me vendim të prokurorit, trupat e pa jetë janë dërguar në IML për obduksion.”

Këta janë tre të rinjtë që mbetën të vdekur në Gjakovë

Media mbrëmë raportoi për një ngjarje tragjike që ndodhi në Jabllanicë të Gjakovës, ku 3 fëmijë kanë mbetur të vdekur si pasojë e shembjes së një shtëpie të pabanuar.

Media mëson se viktimat janë: Ideal Ramaj, Ramë Mehmetaj dhe Veton Morina.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, ku kanë dhënë detaje të reja.

“Më datë 1 shkurt 2025, rreth orës 22:50, jemi njoftuar se në fshatin Jabllanicë është rrëzuar pllaka e një shtëpie të pabanuar, duke zënë poshtë tre fëmijë. Në vendngjarje kanë dalë njësitë e nevojshme policore, si dhe ekipet e emergjencës, përfshirë ambulancën dhe zjarrfikësit. Personeli mjekësor ka konstatuar në vendngjarje vdekjen e viktimave. Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit në koordinim me të cilin, aktualisht janë duke u ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore”, tha  zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Tragjedia në Jabllanicë, reagon kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka reaguar pas tragjedisë që ndodhi në Jabllanicë, ku humbën jetën tre fëmijë.

Ai shprehu dhimbjen për këtë ngjarje tragjike dhe dërgoi ngushëllime për familjet e prekura.

“Jam i tronditur nga lajmi për humbjen e jetës së tre fëmijëve në Jabllanicë sonte! Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet! Nuk ka fjalë që e shprehin dhimbjen!” - tha Gjini.

Ai theksoi nevojën për mbështetje në këto momente të vështira. “Le të bëjmë krejt çka mundemi të jemi me familjet në këto çaste të rënda! Qofshin të parajsës engjujt!”, përfundoi i pari i komunës.

Rasti tragjik në Jabllanicë: Në vendin e ngjarjes intervenuan edhe zjarrfikësit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e të premtes në fshatin Jabllanicë në Gjakovë, ku tre fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së një shtëpie të pabanuar.

Sipas informacioneve të para, tragjedia ka ndodhur pas rrëzimit të pllakës së një shtëpie të pabanuar.

Sinjali ka raportuar se fëmijët janë të moshave 13 dhe 15-vjeçare, nga familjet Ramaj, Morina dhe Mehmetaj.

Vdekjen e të miturve e kanë konstatuar ekipet mjekësore në vendin e ngjarjes, ndërsa trupat e viktimave tashmë janë dërguar në morgun e Spitalit Rajonal të Gjakovës. 

Në vendin e ngjarjes, përveç njësiteve policore dhe ambulancës, kanë dalë edhe zjarrfikësit, të cilët kanë intervenuar në lidhje me rastin. 

Fëmijët e moshës 14 dhe 15-vjeç i zuri pllaka e një shtëpie të pabanuar, policia jep detaje

Tre fëmijë kanë vdekur në fshatin Jabllanicë të Gjakovës, pasi janë zënë nga pllaka e një shtëpie të pabanuar.

Dy nga viktimat i përkasin moshës 15-vjeçare, kurse një i përket moshës 14-vjeçare, teksa lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili tha se në vend të ngjarjes janë njësitet policore, ambulanca dhe zjarrfikësit.

“Më datë 1 shkurt 2025, rreth orës 22:50, jemi njoftuar se në fshatin Jabllanicë është rrëzuar pllaka e një shtëpie të pabanuar, duke zënë poshtë tre fëmijë”.

“Në vendngjarje kanë dalë njësitë e nevojshme policore, si dhe ekipet e emergjencës, përfshirë ambulancën dhe zjarrfikësit. Personeli mjekësor ka konstatuar në vendngjarje vdekjen e viktimave”, tha Elezaj.

Tutje, ai tha në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, me të cilin aktualisht po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore.

Viktimat në Jabllanicë i përkasin moshave 14 dhe 15-vjeç, trupat e pajetë janë dërguar në morg

Tre të rinj kanë vdekur në Jabllanicë të Gjakovës, ku njëri nga ta është i moshës 14-vjeçare dhe dy të moshës 15-vjeçare.

Të rinjtë vdiqën pasi një shtëpi e pabanuar është shembur.

Trupat e pajetë tashmë janë dërguar në morgun e Spitalit Rajonal të Gjakovës ka bërë të ditur për Klankosova.tv, drejtori i spitalit, Hilmi Shala.

Tragjedi në Jabllanicë të Gjakovës: Tre të rinj nga familjet Rama, Morina dhe Mehmeti humbin jetën pas shembjes së një objekti

Një tragjedi e rëndë ka tronditur sonte në mbrëmje fshatin Jabllanicë të Gjakovës, ku një objekt i pabanuar është shembur, duke zënë brenda tre të rinj.

Sipas burimeve të mediave, viktimat ishin në vitin e parë të shkollës së mesme dhe vinin nga tri familje të ndryshme: Rama, Morina dhe Mehmeti.

Policia konfirmon ngjarjen

Vdekjen e të miturve e kanë konstatuar ekipet mjekësore në vendin e ngjarjes, ndërsa trupat e viktimave tashmë janë dërguar në morgun e Spitalit Rajonal të Gjakovës.

Lajmin për këtë fatkeqësi e ka konfirmuar për media major Milazim Lumi nga Policia e Kosovës. “Aktualisht jam duke shkuar në vendin e ngjarjes, por mund të konfirmoj se vdekjen e tre të rinjve e ka konstatuar mjeku kujdestar”, deklaroi Lumi.

Detaje mbi objektin e shembur

Objekti në fjalë, i cili më parë shërbente si shitore e fshatit, ishte i pabanuar prej kohësh. Ende nuk dihet nëse kishte ndonjë paralajmërim për rrezikun e shembjes së tij. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e ngjarjes.

Reagimi i komunitetit

Lajmi ka shkaktuar trishtim dhe shqetësim të madh në komunitetin e Gjakovës dhe më gjerë. Familjarët dhe banorët janë në zi për humbjen e tre jetëve të reja në këtë ngjarje tragjike.

Ngushëllime të sinqerta për familjet e viktimave dhe gjithë komunitetin për këtë humbje të rëndë. Autoritetet pritet të japin më shumë informacione në orët në vijim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat