“Ai nuk është si Albini”, Çun Lajçi ‘godet’ Haradinajn: Po u bë kryeministër, Zajednicën e nënshkruan brenda…

Aktuale

“Ai nuk është si Albini”, Çun Lajçi ‘godet’ Haradinajn: Po u bë kryeministër, Zajednicën e nënshkruan brenda…

Nga: A.SH Më: 2 shkurt 2025 Në ora: 09:47
Çun Lajçi

Aktori Çun Lajçi ka thënë se deklarata e Haradinajt se do ta fusë Kosovën në NATO sapo të bëhet kryeministër të bën të qeshësh dhe të qash.

“Qesha dhe qava gjithë natën, e thashë me vete: – Ky po kujton se hyrja në NATO është si të hysh në BBA ose si të shkosh në Durrës e t’i biesh kryeshut detit, pa pasur nevojë të pyesësh askënd! Ky po kujton se NATO na paska pritur krahëhapur për katër vjet, veç ky farë "spiuni i Serbisë", ky farë "malazezi" Kurti që e zvarritnin policët serb, s’paska dashur ta bëjë realitet!”

Shkrimi i plotë:

Ramushi nuk është Albin që i mat edhe vetë si gjakovari.

Mbrëmë edhe kam qeshur pa zë, edhe kam qarë pa lot! Shikova Besart Kelmendin, djaloshin nga Pavlani i Pejës, që po e bën rrëmujë, (rrungajë) atë shtëpi "VIP-ash" të BBA-së. Herë pas here dëgjova edhe fjalimet e VIP-ave tanë politikë, të cilët e kanë hapur thesin dhe këtë herë nuk po kursehen aspak. Jo, asgjë nuk po u dhimbset kësaj radhe! Gjithçka kemi për t’ju dhënë, po thonë; – përveç shtëpive, kullave, vilave, veturave dhe kursimeve tona bankare. Zemrat jo se jo! Ato, po thonë, i kemi për ndërkombëtarët, një cep për Evropën dhe cepin tjetër për Amerikën!

Mirëboll!

Këta po na mashtrojnë që ti marrin votat, si Gesti i Pavlanit që ua mori vajzën më të bukur që patën VIP-at e Shqipërisë dhe u tha: – Mos u shqetësoni për mua që s’jam VIP si ju, por qani hallin tuaj që nuk po dini t’i bëni hyzmet femrës dhe po mbeteni pa u martuar!

Dhe qesha kur dëgjova Ramushin duke i thënë popullit se do ta fusë Kosovën në NATO brenda javësh, nëse bëhem kryeministër.

Qesha dhe qava gjithë natën, e thashë me vete: – Ky po kujton se hyrja në NATO është si të hysh në BBA ose si të shkosh në Durrës e t’i biesh kryeshut detit, pa pasur nevojë të pyesësh askënd! Ky po kujton se NATO na paska pritur krahëhapur për katër vjet, veç ky farë "spiuni i Serbisë", ky farë "malazezi" Kurti që e zvarritnin policët serb, s’paska dashur ta bëjë realitet!

Kur u çmall Gesti me Eglin dhe i cakërruan gotat me verë të kuqe, thashë me vete: – Ramushi nuk është Albin që i mat edhe vetë si gjakovari. Ai, po u bë kryeministër edhe njëherë, jo vetëm që na fut në NATO brenda javës, por edhe Zajednicën e nënshkruan brenda natës, e Veriun e var në bishtin e sorrës! Ai nuk është kokëfortë si Albini, ai si u bë Kryeministër e pati dhënë Çakorrin, e po e jepka Veriun! Ai na fut në NATO nesër! Veç pyetja është: si ta kaloi pragun e si ta bëj Fatmirin deputet?

Para se të shtrihem i shkrova një kamarieri në Cyrih!

"Shkrimet e mia për Albinin duhet ti lexosh me vemendje se nuk janë piata me pasul, qofte apo byrek me gjizë! Dhe mos e ruaj fotografinë e tij në celular duke bërë propagandë për partinë tjetër, siç paske bërë!

Duke qeshur e duke qarë më zuri gjumi mbrëmë!

02.02.2025

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat