Mustafa: Vuçiq s’është i gatshëm të dorëhiqet, Serbia po rrezikon luftë civile

Aktuale

Mustafa: Vuçiq s’është i gatshëm të dorëhiqet, Serbia po rrezikon luftë civile

Më: 2 shkurt 2025 Në ora: 12:48
Ragmi Mustafa

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq nuk është i gatshëm të japë dorëheqje pavarësisht situatës aktuale në Serbi, thotë kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Ragmi Mustafa. Sipas tij, kjo mund të çojë vendin në një luftë civile.

Po bëhen gati tre muaj që Serbia po përballet me protesta masive të studentëve, që nisën pas shembjes së kulmit të stacionit në Novi Sad që la të vdekur 15 persona.

Protestat, që vazhdojnë ende, kanë mbledhur dhjetëra mijëra njerëz, duke bllokuar rrugët në Beograd.

Studentët po kërkojnë përgjegjësi dhe publikimin e dokumentacionit të rindërtimit. Dorëheqjet erdhën vetëm pas më shumë se dy muajsh protesta, kur postet i lanë kryeministri Millosh Vuçeviq dhe kryetari i Komunës së Novi Sadit, Millan Gjurgjiq. Por, dorëheqja e tyre u tha se është bërë vetëm që Aleksandër Vuçiq ta zgjasë pushtetin dhe të heqë përgjegjësinë prej vetes.

Mustafa: Aleksandër Vuçiq nuk është i gatshëm të ofrojë një dorëheqje

"Protestat sigurisht që do të vazhdojnë akoma më shumë. Tani ka filluar një aktivitet paralel, Aleksandër Vuçiq nëpër qytete të ndryshme të Serbisë duke mbledhur ithtarë të partisë së tij dhe duke mbajtur fjalime dhe duke shpjeguar në mënyrë të bindshme se ‘nuk do të ketë zgjedhje të reja’, ‘nuk do të ketë një qeveri teknike që do të udhëhiqet nga opozita’... Kjo këmbëngulje e tij, pa asnjë dyshim mund të çojë deri tek radikalizimi i protestave, nëse këto zgjasin një, dy apo tre muaj të tjerë. Në këtë rast mund të ndodhë edhe më e keqja një luftë qytetare mes vetë serbëve në Serbi. Tani për tani Aleksandër Vuçiq nuk është i gatshëm të ofrojë një dorëheqje njëlloj sikurse kryeministri serb", thotë Mustafa në intervistën për KosovaPress. 

Pas dorëheqjes së Vuçeviqit, Serbisë i kanë mbetur një muaj kohë për qeverinë e re, ndryshe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Mustafa: Dorëheqjet nuk iu kanë bërë përështypje studentëve

"Këto dy dorëheqje nuk iu bënë përshtypje studentëve sepse ata as që kishin kërkuar dorëheqjen e kryeministrit serb apo edhe kryetarit të qytetit të Novi Sadit. Këtë sens, ishte një taktizim politik i presidentit Vuçiq për të parë se mos studentët do të tërhiqen nga protestat me këto dy dorëheqje të ofruara. Megjithatë, ka një muaj kohë prej dorëheqjes së kryeministrit serb që të ndërtohet qeveria e re, të zgjidhet parlamenti i Serbisë, me kryeministrin e ri ose të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Edhe kjo natyrisht nuk është duke u bërë përshtypje fare studentëve e as universiteteve më eminente në Serbi që jo më pak se 30 prej tyre tubojnë studentët në këtë drejtim. Por, ata janë të bindur se duhet të ndryshohet sistemi politik në Serbi", thotë Mustafa.

Kreu i PDSH-së, Ragmi Mustafa përjashton mundësinë që protesta të ketë edhe në Luginë.

Nëse do të ndodhte një gjë e tillë, sipas tij, do ta ndihmonte pushtetin aktual në Serbi për të sulmuar studentët dhe të gjithë protestuesit e tjerë.

Mustafa: Qeveria në Beograd ka në shpirt albanofobinë

"Ka pasur zëra por absolutisht jo të fregmentuar ose të shpeshtuar se në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë do të ndodhin protesta të ngjashme duke shprehur pakënaqësi. Kjo shumë më tepër do t'i ndihmonte pushtetit aktual në Serbi, përkatësisht Aleksandër Vuciqit sepse me një automatizëm do të sulmonte edhe studentët edhe gjithë qytetarët tjerë serbë të pakënaqur brenda Serbisë se 'Ju po iu bashkoheni shqiptarëve, se ju jeni dorë e zgjatur e qeverisë në Prishtinë'... Sepse ka në shpirt albanofobinë qeveria në Beograd. Sigurisht që ne jemi të interesuar që sa më shpejt të ndodhin ndryshime në sistemin politik në Serbi, të ndodhin ndryshime të tilla ku do të respektohen maksimalisht të drejtat e pakicave kombëtare këtu e sidomos të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë, dhe Bujanoc", thotë Mustafa.

Përfshirja e opozitës në protestat në Serbi, Mustafa thotë se përbën një logjistikë të fuqishme në mbështetje të studentëve.

Mustafa: Jodemokratike dhe vetëvrasje e opozitës po të mos ishte e inkorporuar në protestat e studentëve

"Opozita serbe në Serbi pa dyshim se është e përfshirë në këto protesta duke qëndruar prapa kërkesave të studentëve. Duke qenë një logjistikë e fuqishme të protestave të studentëve në 30 universitetet e Serbisë. Pastaj, duke e ndihmuar edhe me metoda të tjera. Por, nuk ka ngritur zërin në asnjë mënyrë që të rrënojë imazhin e studentëve. Edhe ashtu Aleksandër Vuçiq nuk nxjerr nga goja fare se këtu është inkorporuar edhe opozita, por zëri i tyre është absolutisht shumë i heshtur por veprimet, shihet se janë absolutisht dhe do të ishte jodemokratike dhe vetëvrasje e opozitës po të mos ishte e inkorporuar në protestat e studentëve", tha Mustafa.

Njohësit e çështjeve politike thonë se Beogradi nuk ka parë protesta më masive që prej protestave që përmbysen pushtetin e Sllobodan Millosheviqit.

Përgjat këtyre muajve, presidenti serb, Aleksandër Vuciq është përballur me akuza për frenim të lirive demokratike në Serbi pavarësisht se kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ndërsa vetë Vuciq ka thënë se protestat nuk janë studentore, por sipas tij, kanë mbështetje nga jashtë. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat