Koalicioni për Kosovën Fituese tubimin e sotëm në Isniq të Deçanit e filloi me një minutë heshtjeje për shkak të humbjes tragjike të jetës së tre fëmijëve në Jabllanicë të Gjakovës.
Kryetari i Deçanit, njëherësh kandidat për deputet, Bashkim Ramosaj, tha se qytetarët kanë vendosur ta votojnë Koalicionin për Kosovën Fituese, teksa u shpreh i bindur se fitoren do ta shijojnë më 9 shkurt.
Ai ftoi qytetarët e vendit që të mbështesin këtë koalicion për një Kosovë më të mirë.
Kryetari i Nisma, njëherësh kandidat për deputet Fatmir Limaj ka kritikuar qeverisjen Kurti për mashtrim të qytetarëve. Ai ka thënë se për dallim prej partisë në pushtet, “ne kemi vepra e ata kanë fjalë”.
“Mirë që po shkojnë në shtëpi, ne nuk e ndotim gjuhën, ne duam një Kosovë të bashkuar. Katër vjet jeni ofenduar e fyer, për atë kohë çdo derë ka qenë e mbyllur për ju”, u shpreh ai.
Limaj nga komuna e Deçanit kërkoi nga qytetarët përkrahje për fitore për partinë por fitore për Kosovën.
Kandidati për kryeministër nga Kosova Fituese Ramush Haradinaj premtoi më shumë përkrahje për komunën e Deçanit gjatë qeverisjes së tij.
“Dua që Deçanin ta bëj kryeqendër të skijimit e turizmit malor, por edhe veror, tha ai.
Ndër premtimet e tjera që Haradinaj bëri gjatë tubimit të sotëm ishte hyrja e Kosovës në NATO dhe ulja e kostos së energjisë elektrike.
Kujtojmë, më 9 shkurt do të mbahen zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat mbahen për herë të parë si të rregullta pas shpalljes së pavarësisë.