Fjalimet në fushatën zgjedhore në Kosovë janë të gjata dhe të zhurmshme, por rrallë për arsimin. Kandidatët politikë kanë përqendruar vëmendjen te rritja ekonomike, hapja e vendeve të reja të punës, mbështetja për bizneset, sulmet për njëri-tjetrin...
Për arsimin - njërën prej shtyllave kryesore të shoqërisë - dëgjohet më pak.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit do të garojë për mandatin e dytë, ka thënë para katër vjetësh se investimi në arsim, do të jetë “preokupim kryesor” i Qeverisë së tij. Është zotuar se do të investojë në shkolla e çerdhe publike, do të trajnojnë mësimdhënës e do të punësojë të rinj.
“Për herë të parë do të kemi një program, i cili shkollat i sheh si vend i dijes për fëmijët e rininë, ku pasurohet shoqëria e fiton shteti, e jo si tender ku pasurohet individi apo familjarët”, ka thënë Kurti në vitin 2021.
Qeveria e Kurtit, përkatësisht Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka miratuar edhe Strategjinë e Arsimit 2022-2026, ku ka përcaktuar pesë objektiva strategjike - mes tyre digjitalizimin e arsimit. Për këtë proces janë ndarë edhe 52 milionë euro, por ndikimi në praktikë i premtimeve - disa vite pas - nuk është ende aq i dukshëm.
Në Shkollën Fillore “Pavarësia” në Prishtinë, mësimdhënia dhe mësimnxënia vazhdojnë me metodat tradicionale - qoftë nga mënyra e shpjegimit në dërrasë të zezë, qoftë nga organizimi i nxënësve në klasë.
Me më shumë se 1.900 nxënës, “Pavarësia” është ndër shkollat më të mëdha fillore në Prishtinë. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të saj, Halil Brahaj, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se shkolla ka vetëm një kabinet me kompjuterë, të cilët shfrytëzohen vetëm nga nxënësit që kanë lëndë të teknologjisë informative dy-tri herë në javë.
“Në kabinetin e teknologjisë kemi kompjuterë për një klasë të mjaftueshme. Njëzet kompjuterë i kemi të rinj, që i ka sjellë Komuna e Prishtinës, ndërsa të tjerët janë donacione nga shoqata të ndryshme, banka, fakultete e kështu me radhë. Ata janë të përdorur, por të domosdoshëm”, thotë Brahaj.
Regjistrimi i popullsisë në Kosovë, vitin e kaluar, ka treguar se në sistemin e arsimit parauniversitar, mësimet i ndjekin rreth 300 mijë nxënës në më shumë se 1.000 shkolla.
Sipas të dhënave të fundit në Strategjinë e Arsimit, në këto shkolla ka mbi 9.000 kompjuterë, apo mesatarisht 1 kompjuter për 35 nxënës.
Shifrat nuk janë të krahasueshme me ato në vendet e BE-së, ku një kompjuter në shkollë është në dispozicion për 3 deri në 7 nxënës.
Radio Evropa e Lirë pyeti MASHTI-n se sa mjete të parapara për digjitalizimin e shkollave, janë shpenzuar deri më tani, por nuk mori përgjigje.
Brahaj thotë se shkolla që udhëheq, “Pavarësia”, deri vonë është përballur edhe me sfida të tjera, jashtë aspektit të digjitalizimit.
“Nga shtatori i vitit të kaluar, ne i jemi kthyer normalitetit, sepse ‘Pavarësia’, për dy vjet radhazi, ka punuar në tri ndërrime, për shkak të mungesës së hapësirës, gjegjësisht rritjes së vazhdueshme të numrit të nxënësve. Me përfundimin e aneksit, është krijuar paksa komoditet për të pasur edhe hapësira edhe për kabinete”, thotë Brahaj.
Me sfida të ngjashme të organizimit përballen edhe shumë shkolla të tjera publike në Kosovë, derisa cilësia e arsimit mbetet e dobët.
Në tri teste të PISA-s - program ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve në lexim, shkencë e matematikë - që janë zhvilluar më 2015, 2018 dhe 2022, Kosova ka dalë gati në fund të listës botërore. Për më tepër, rezultati ka shkuar duke u përkeqësuar, e jo duke u përmirësuar.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në atë kohë, ka fajësuar pjesërisht pandeminë COVID-19 për situatën e krijuar.
Tani, partitë që synojnë pushtetin në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, kanë nxjerrë zotime të ndryshme për arsimin në programet e tyre.
Në atë që ka publikuar Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit thuhet vetëm se ai do të sigurojë “bono për prindërit që i dërgojnë fëmijët në çerdhe jopublike”.
Partia Demokratike e Kosovës, e cila garon me Bedri Hamzën për kryeministër, ka një program më të detajuar për këtë çështje, ku, mes tjerash, zotohet se do ta avancojë kurrikulën, do të përfshijë materiale digjitale në mësim, do t’i pajisë nxënësit dhe mësimdhënësit me laptopë, do t’i trajnojë dhe vlerësojë mësimdhënësit, e të tjera.