Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, në tubimin zgjedhor sot në Lipjan, tha se do të sjellin një kulturë të re në qeverisje që realizon premtimet me vepra konkrete.
Hamza tha se me PartinëDemokratike të Kosovës (PDK) në krye të shtetit do të ketë rritje të pagave e pensioneve dhe zhvillim të mirëfilltë ekonomik për qytetarët.
Hamza: Një lidership që nuk flet me premtime boshe, por ka vepra
“Do ta sjellim një kulturë të re në qeverisje, të ndershme dhe efikase. Një lidership që nuk flet me premtime boshe, por që ka vepra. Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, krijimi i kushteve për jetesë, ku njerëzit dhe qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të kenë jetë të dinjitetshme në Kosovë. Ne do të përkrahim bizneset tona me politika të favorshme fiskale, me lehtësira tatimore dhe lehtësim në qasjen në financa. Mirëpo, nuk i kemi në fokus vetëm pronarët, i kemi edhe të punësuarit në sektorin privat. Do të krijojmë fondin prej papunësisë, në rast se dikush humb vendin e punës, 80 për qind e pagës të fundit shteti do t’ia garantojë për gjashtë muaj. Do t’i rrisim pagat 50 për qind fillim të mandatit, 70 për qind pensionet bazike, pagesat për kategoritë më meritore, ata që dhanë më së shumti për lirinë dhe pavarësinë e vendit, familjet e dëshmorëve, invalidët, veteranët, 50 për qind rritje”, tha Hamza.
Për më tepër, Hamza u shpreh se familjet e dëshmorëve nuk do të detyrohen të zgjedhin mes pensionit të moshës dhe dëshmorit, por qeveria do t’ua mundësojë të dyja. Ai ka premtuar edhe dyfishim në buxhet në sektorin e shëndetësisë, 150 milionë euro në vit për barna esenciale dhe funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore.
Hamza ka menduar edhe për çiftet e reja, nga 100 euro për secilin fëmijë që nuk ka mundur të regjistrohet në çerdhe publike dhe është detyruar të shkojë në atë private.
Hamza: Familjet e dëshmorëve nuk do t’i detyrojmë të zgjedhin përmes pensionit të moshës dhe dëshmorit
“Për më tepër familjet e dëshmorëve nuk do t’i detyrojmë të zgjedhin përmes pensionit të moshës dhe dëshmorit, por do të marrin të dyja. Ne do të bëjmë arsimin për shekullin 21, do të krijojmë fondin për bursa. Njerëzit tonë meritojnë shëndetësi më të mirë. Ne do ta dyfishojmë buxhetin, 150 milionë në vit për barna esenciale, për të sëmurët me kancer dhe sëmundje kronike. Funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore, ne kujdesemi edhe për çiftet e reja, 100 euro për secilin fëmijë, ku nuk kanë mundësi t’i vendosin në çerdhe publike dhe detyrohen t’i vendosin në çerdhe private. Do të ndërtojmë rrugë, hekurudha, shkolla, ujëmbledhës, mbi 6 miliardë euro të investojmë në investime kapitale”, u shpreh Hamza.
Bedri Hamza kërkoi votën e qytetarëve që pas 9 shkurtit të jetë një Kosovë më e mirë.