Arsim Rapuca, Kryetar i Odës së Inxhinierëve të Kosovës, ka thënë se komunat, por edhe banorët duhet të marrin iniciativa për rrëzimin e objekteve të vjetra e ta pabanuara që mund të paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve.
Ai këtë e ka thënë duke komentuar tragjedinë në Jabllanicë, ku tre fëmijë humbën jetën pas shembjes së një objekti në Jabllanicë të Gjakovës.
“Ndërtimet e tilla është mirë komunat që shohin që janë të pabanueshme me i rrëzuar apo me i pyet qytetarët që a dëshirojnë vet me i rrëzu. Komunat duhet të ndajnë buxhet për këto raste, të identifikohen dhe të merren masa”, ka thënë Rapuca në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ai duke folur për objektin që u shemb në këtë fshat, ka thënë se duke qenë i vjetër dhe i djegur gjatë luftës është degraduar edhe nga kushtet atmosferike.
Sipas tij, ka mjaftuar një dridhje gjatë lojës nga fëmijët që ai të shembej.
“Ky është degradua edhe prej kushteve atmosferike edhe materialet shihen se janë të betonit, dhe ky efekti i ngrirje – shkrirjeve shkon duke e degradu. Fëmijët kanë mujt me godit, normal ata janë fëmijë nuk e kanë ditë rrezikun dhe nga ndonjë dridhje ka ra”, ka thënë inxhineri Rapuca.
Tre fëmijë të moshës 13 e 15 vjeç kanë humbur jetën të shtunën në mbrëmje pasi janë zënë nga rrënojat e shembjes së objektit.
Prokuroria ka nisur hetimet për këtë rast.