“Njeri që fut dorën në zjarr për atdheun dhe jo ai që fut dorën në thesarin e shtetit”, reagon Çun Lajçi edhe për premtimet e...

Aktuale

“Njeri që fut dorën në zjarr për atdheun dhe jo ai që fut dorën në thesarin e shtetit”, reagon Çun Lajçi edhe për premtimet e...

Nga: N.E Më: 3 shkurt 2025 Në ora: 12:11
Shkrimtari dhe aktori Çun Lajçi

Shkrimtari dhe aktori Çun Lajçi, thotë se ai nuk është militant partie, por i beson vetëm njeriut (Albin Kurtit) që fut dorën në zjarr për atdheun dhe jo atij që fut dorën në thesarin e shtetit e në xhepat e popullit.

Lajçi përmes një shkrimi në Facebook, dedikuar kryeministrit dhe kandidatit të LVV për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se duan humbjen e tij për shkak të popullit që ka krijuar besimin në çiltirësinë dhe pafajësinë e tij.

Sipas tij, të tjerët kanë folur për shkëmbim territoresh, falje tokash, për korrupsion, për mashtrues, për vrasje, për grabitje e dhunime.

“Ai është Albini! Cilët jemi ne që folëm për 20 vjet për hajnitë—për milionat që Evropa solli për rindërtimin e Kosovës, e që përfunduan: pak në xhepat e pushtetarëve, shumë në xhepat e ndërkombëtarëve, e fare pak në rindërtimin e vendit?

Cilët jemi ne që folëm për shkëmbim territorësh, falje tokash, për korrupsion, për mashtrues, për vrasje, për grabitje, për dhunime, e pas 24 vitesh na është shlyer truri, sikur të mos kishte ndodhur asgjë? Filluam të brohorasim për ata emra që i mallkuam, i damkosëm me njolla të zeza që të mos harroheshin për të zezat që i sollën këtij vendi. Tani, me ovacione i presim kur ngjiten në skenat e improvizuara enkas për ta, duke u bërë engjëj shpëtimi, duke qeshur e mashtruar, duke na ngjeshur me premtime që nuk mund të realizohen, sepse hajnia dhe dredhia nuk kanë të ndalur”, ka shkruar Lajçi.

Shkrimi i plotë:

Ai është Albini!

Cilët jemi ne që folëm për 20 vjet për hajnitë—për milionat që Evropa solli për rindërtimin e Kosovës, e që përfunduan: pak në xhepat e pushtetarëve, shumë në xhepat e ndërkombëtarëve, e fare pak në rindërtimin e vendit?

Cilët jemi ne që folëm për shkëmbim teritorësh, falje tokash, për korrupsion, për mashtrues, për vrasje, për grabitje, për dhunime, e pas 24 vitesh na është shlyer truri, sikur të mos kishte ndodhur asgjë? Filluam të brohorasim për ata emra që i mallkuam, i damkosëm me njolla të zeza që të mos harroheshin për të zezat që i sollën këtij vendi. Tani, me ovacione i presim kur ngjiten në skenat e improvizuara enkas për ta, duke u bërë engjëj shpëtimi, duke qeshur e mashtruar, duke na ngjeshur me premtime që nuk mund të realizohen, sepse hajnia dhe dredhia nuk kanë të ndalur.

E vërteta është si nuri i bukurisë—dëshirohet, por rrallë, e gati asnjëherë, nuk arrihet; mbetet vetëm dëshirë për syrin e mashtruar!

Ne qenkemi harrestarë të papërmirësuar! Hamë grurë me egjër, vjellim, shajmë, mallkojmë, por sa zbardh dita tjetër, ai egjër na duket i mirë dhe turremi ta mbjellim përsëri, pa çka se prapë do ta vjellim e do ta mallkojmë!

Ne ia dëshirojmë vdekjen djalit për inatin e nuses, siç ia dëshirojmë rënien Albinit për inatin e popullit që ka krijuar besimin në çiltërsinë dhe pafajësinë e tij. Brohorasim për mashtruesit, grushtfortët, të shiturit e të korruptuarit, që të kthehen sërish në karriget që i kalbën me të zezat e tyre!

Por a do të mashtrohet rinia? - Ajo që ka lindur në vitet e zerove të mëdha (2000), me aromën e Adem Jasharit dhe të dëshmorëve që luftuan për një Kosovë pa spiunë, pa tradhtarë, pa bashkëpunëtorë të Serbisë, pa hajna që e vjedhin shtëpinë e vet dhe tregtojnë me vrasësin e popullit të tyre!

Unë i besoj vetëm asaj që shihet, asaj që preket, dhe nuk mashtrohem me iluzione që nuk arrihen, sepse jam rritur me artin e shtatë dhe e di që maja e tij gati kurrë nuk arrihet—mbetet vetëm synim dhe dëshirë!

Mos më gjykoni! Pavarësisht se jam artist dhe asnjëherë militant partie, unë mbetem unë dhe unë i besoj vetëm njeriut që fut dorën në zjarr për atdheun, jo atij që fut dorën në thesarin e shtetit e në xhepat e popullit!- E ky është Albini!

Falmi Zot gabimet!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat