Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidati për kryeministër i Koalicionit për Kosovën Fituese, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për, siç ka thënë ai, dëmtim të raporteve me Shtetet e Bashkuara.
Në tubimin elektoral në Drenas, Haradinaj tha se Kurti është “në drejtim të gabuar, të rrezikshëm dhe humbës”.
Haradinaj: Kurti është në drejtim të gabuar dhe të rrezikshëm
“Ne jemi në drejtim të gabuar. Qeveria e këtij që po shkon, që po i them shko, shko mashtruesit, vërtetë është në drejtim të gabuar dhe drejtim të rrezikshëm e humbës. Për këtë e kemi quajtur Koalicioni për Kosovën Fituese. Me votën e juaj na ndihmoni, së pari me u lidhë me Amerikën prap, me u lidhë me presidentin Trump dhe me u lidhë me adresën tonë që e ka fuqinë dhe vendimin më të madh. Jo vetëm për anëtarësimin tonë direkt në NATO, që fatmirësisht kemi punuar në këtë temë dhe jemi afër. Mirëpo edhe për zhvillime të tjera ekonomike, politike dhe diplomatike. Ky na ka nxjerrë jashtë dhe është problem. Zgjedhja e presidentit Trump e ka ndryshuar botën më shumë sesa lufta në Ukrainë. Është tektonike, jemi me ne apo s’je me ne. Me këtë njeri, me këtë qeveri s’jeni me ta. As s’po iu them ‘Amelika’ e as Amerika por me këtë njeri dhe këtë qeveri s’jeni me ta. E dini pasojat kur është ndryshe”, tha ai.
Sipas tij, Kurti do ta rrisë çmimin e energjisë sërish.
Haradinaj: Kurti është një mashtrues
“Kush e voton atë që po shkon, mashtruesin, besoni se ka me u rritë çmimi [i energjisë] pa kontrollë edhe disa herë. S’iu kam në qafë dhe ju kam treguar edhe shumë herët se ky është mashtrues. Po, i ka shtuar 10 euro shtesa, na ka jep edhe kah 100 euro, por po na merr kah gjashtë-shtatë herë paret tona”, shtoi Haradinaj.
Krahas kësaj, Haradinaj para simpatizantëve në Drenas tha se nëse marrin besimin e qytetarëve në zgjedhjet e 9 shkurtit do të themelojnë Ministrinë e kategorive të lirisë si dhe Ministrinë e familjes.