​Haradinaj premton 25 miliardë euro investime kapitale

Aktuale

​Haradinaj premton 25 miliardë euro investime kapitale

Më: 4 shkurt 2025 Në ora: 13:27
Foto ilustrim

Kandidati për kryeministër i Koalicionit për Kosovën Fituese, Ramush Haradinaj, ka premtuar investime kapitale në vlerë 25 miliardë euro, gjatë mandatit qeverisës katër vjeçar. Ai gjatë takimit me biznese, tha se kur të vijnë në pushtet do të synojnë rritjen ekonomike në shtatë për qind.

Haradinaj përmendi edhe ndërhyrjen në akcizë të derivateve për bujqësi dhe prodhim.

Sipas tij, për gjatë katër viteve do të jenë 9 miliardë euro investime kapitale nga shteti, kurse 16 miliardë nga sektori privat.

Haradinaj: Në mandatin tonë qeverisës do të ketë 25 miliardë euro investime kapitale

“Synojmë rritjen ekonomike shtatë për qind dhe vlerësojmë se një ambicie e tillë e bënë kthesën në ekonomi. Njëkohësisht kalkulojmë se për një mandat qeverisës investimet të arrijnë në 25 miliardë euro, këto janë edhe publike e private. Kuptohet publike janë 9 miliardë investime kapitale ndërsa 16 miliardë nga sektori privat”, tha ai.

Duke folur për raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës(ShBA), Haradinaj tha se fokusi do të jetë edhe te bashkëpunimi ekonomik.

Ai theksoi nevojën që ndërtesa “Trump Tower”, si investim të ndodh edhe në Prishtinë.

Haradinaj: Trump Tower të ndërtohet edhe në Prishtinë

“Kam dëgjuar se ka ide për Trump Tower në Beograd dhe në rajon. Mendojmë se edhe Prishtina e meriton një Trump Tower dhe ne e kishim mirëpritur që me ardh tek një investim i tillë. Jo vetëm kjo por edhe projektet të tjera që mund të identifikohen ndërkohë”, shtoi Haradinaj.

Në anën tjetër, kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, akuzoi kryeministrin aktual Albin Kurti se gjatë katër viteve ka stagnuar vendin.

Limaj: Kurti ka stagnuar vendin

“Vendi tash e katër vite nuk punon. Fatkeqësisht vendi tash e katër vite iu ka ekspozuar mashtrimit, shpifjeve dhe akuzave. Kosova nuk është në garë për zhvillim e prosperitet ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët. Kosova se katër vite është në garë të mashtrimit, të shpifjes dhe gënjeshtrave. Në garë të pengesave për t’ia bërë më të vështirë jetën qytetarëve të Kosovës dhe fatkeqësisht edhe juve që jeni promotor i zhvillimit ekonomik dhe prosperitetit të këtij vendi”, deklaroi Limaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat