Dëshmitari: Vukotiq bashkë me një person tjetër më largoi nga shtëpia duke ma drejtuar armën në gjoks

Aktuale

Dëshmitari: Vukotiq bashkë me një person tjetër më largoi nga shtëpia duke ma drejtuar armën në gjoks

Më: 4 shkurt 2025 Në ora: 13:51
Foto nga seanca

Dëshmitari Sabit Maxhuni deklaroi të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë se i akuzuari Zoran Vukotiq më 17 prill 1999 kishte hyrë në shtëpinë e tij dhe e ka larguar nga aty duke ia drejtuar armën në gjoks.

“Bashkë me një person tjetër, ka hy në shtëpinë time, ma ka vendos kallashin në gjoks dhe na ka thënë për dy minuta largohuni nga shtëpia dhe m’i ka marrë diku 400 dinarë”, ka thënë dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Florie Shamolli e pyeti dëshmitarin për ngjarjet e datës 17 prill 1999, por mbrojtësi i të akuzuarit Vukotiq, avokati Nebojsha Vlajiq, e kundërshtoi me arsyetimin se lëndë e gjykimit të sotëm nuk janë ngjarjet e asaj dite.

Avokati tha se gjykimi është duke u zhvilluar për ngjarjet e datës 18 prill 1999 dhe se prokurorja po dëshiron të bëjë pyetje për pjesën e aktakuzës për të cilën Prokuroria ka hequr dorë, e për të cilat ajo nuk ka të drejtë të bëjë pyetje.

Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Rrahman Beqiri ka udhëzuar prokuroren që t’i parashtrojë pyetje dëshmitarit vetëm në raport me dispozitvin e aktakuzës për të cilën po zhvillohet gjykimi.

Po ashtu, Rrahmani ua rikujtoi palëve në procedurë se për pikën I të aktakuzës, prokurori i EULEX-it është tërhequr gjatë seancës së shqyrtimit fillestar dhe për Gjykatën ajo pikë e tërhequr e aktakuzës në asnjë rast nuk do të shqyrtohet në këtë shqyrtim gjyqësor e as më vonë.

Andaj, e udhëzoi prokuroren që të parashtrojë pyetje që lidhen vetëm me aspektin e përgjithshëm të çështjes penale.

Për këtë, prokurorja Shamolli tha se ky dëshmitar është dëshmitar rrethanor dhe se vetëm po e përshkruan ngjarjen nga aty ku fillon.

Dëshmitari Maxhuni deklaroi se pasi që ishin larguar nga shtëpia, e ka dëgjuar një krismë dhe është kthyer nëpër rrugë të shkurta dhe kur është afruar e ka parë se ia kishte djegur shtëpinë.

Po ashtu, ai tha se ditën tjetër, më 18 prill janë kthyer tek shtëpia dhe aty e kanë kuptuar se e kanë vrarë tani të ndjerin B.M., në udhëkryq, por që nuk ka informacione se kush e ka vrarë.

Maxhuni ka deklaruar se të akuzuarin e ka parë të veshur me uniformë të policisë, të kaltërt me shenja të zeza.

Ndryshe, gjykatësi Beqiri theksoi se në seancën tjetër, palët do të deklarohen në lidhje me dëshmitarët që duhet t’i dëgjojnë sërish për dy aktakuzat, ose për leximin e deklaratave të mëparshme të tyre.

Prokuroria Speciale, kishte ngritur katër aktakuza për krime lufte ndaj popullatës civile gjatë viteve 1998-1999, ndaj të akuzuarit Vukotiq, por me propozim të e mbrojtësit të të akuzuarit Vukotiq, avokati Nebojsha Vllajiq, u bë bashkimi i çështjes, më 22 gusht 2024.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat