Çun Lajçi pasi ka shprehur mbështetjen për Kurtin, ka thënë se po e urdhërojnë të mos flas më për Albinin.
Ai Kurtin e krahason me lisin, duke thënë se une do të brohoras në fitore për Kurtin.
Postimi i plotë:
Më quajnë trushpëlar! Më urdhërojnë të mos flas për Albinin!
Po të ishte gjallë im atë, do ta dredhte fletën e duhanit, do ta ndizte cigarën me gacë, dhe, duke u bërë tym mustaqeve, do të ofshante:
Ah, medet! Është bërë e vështirë të jetosh në shtëpinë tënde e t'hash bukën tënde pa u sharë! U kanë hipur pacerrkat lisave!
Do të thoshte edhe shumë mesele të tjera, e kur t’i digjej cigarja, do të pështynte:
- Dreqi me të birin, na kanë marrë përpara!
“Mirë që je atje dhe mirë që nuk dëgjon muhalife njerëzish,” ofshana, kur mu kujtuan fjalët e tij, sepse muhalifet, bacalok, s’po na lënë t’i vëmë në punë mendtë e kokës! S’po na lënë të harxhojmë fjalët, sepse ata flasin për ty, ata shohin për ty, ata dëgjojnë për ty, ata vendosin për ty, ata dashurojnë për ty dhe urrejnë për ty! Vetëm vdekjen ta lënë, gropën, të cilën jo rrallë herë ta hapin pikërisht atëherë kur ti nis të mendosh me kokën tënde e të shohësh me sytë e tu!
Ka ardhur kohë e keqe, bacalok! Urrejtja është rritur si pacerrka dhe ka hipur përmbi lisa. Tani pacerrkat kërkojnë nga lisat që ta duan, ta dashurojnë, ta pëlqejnë, ta urrejnë, ta shajnë atë që atyre u pëlqen!
“Kohë pacerrkash,” do të thoshte Binak Alia! Fara e tyre dalldiset në plehërishte kur shiu s’ka të ndalur! U shpërlahen farat, ashtu siç po na i shpërlajnë neve trutë këta që ikën njëherë të lagur e të përlloqur, por u kthyen të larë e të përtharë! Ata lëshuan shtat në b*ën e lisave dhe u bënë më të mëdhenj se lisat! E atëherë bërtitën:
- Lisat nuk s'po i don as mali, as fusha! Sharroni lisat që të rrojnë pacerrkat! Se erdhi koha e farave që mbijnë në çdo lloj plehu!
Unë e dredh mendimin si babai që e dredhte fletën e duhanit dhe ofshaj:
- Ore, mos kanë fluturuar farat e pacerrkave tona edhe përtej Oqeanit, që flet Grenelli, ai që u dekorua nga Vuçiqi, ai që u pagua me dinar për katër vjet për të bërë propagandë kundër një lisi?!
Unë dredh fjalët në letra, ndërsa njerëzit—ata që kërkojnë të mendoj, të flas, të shoh e të dëgjoj si ata—më shajnë, më kërcënojnë, më etiketojnë me lloj-lloj emrash! Më quajnë trushpëlar dhe më urdhërojnë që të mos flas më për Albinin, se hatrohet Grenelli, të paktën deri pas zgjedhjeve!
Atëherë s’po flas! Po brohoras: Fitore, fitore, fitore! Për Albinin—lisin, që pacerrkat po duan ta rrëzojnë me çdo kusht dhe për Gjestin që po duan ta nxjerrin nga BBA do "VIPA" që gërthasin ditë-natë!
04.02.2025