VOA/ Gjykata e Posaçme e Kosovës në Hagë dënon tre veta për “pengim të drejtësisë”

Aktuale

VOA/ Gjykata e Posaçme e Kosovës në Hagë dënon tre veta për “pengim të drejtësisë”

Më: 4 shkurt 2025 Në ora: 16:51
Foto ilustrim

Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, që trajtojnë krimet e luftës, dënuan të martën një ish komandant të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dy bashkëpunëtorë të tij nën akuzat për pengim të drejtësisë.

Në një njoftim të këtyre dhomave thuhet se Haxhi Shala u dënua me 3 vjet heqje lirie, ndërsa Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari u dënuan me nga 2 vjet heqje lirie nën akuzat për “pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare” dhe për “frikësim gjatë procedurës penale”.

Dënimi pasoi një marrëveshje të të akuzuarve me Zyrën e Prokurorit të Specializuar të arritur në dhjetor të vitit 2024 për pranimin e fajësisë.

“Secili prej të akuzuarve pranoi se ishte pjesë e një grupi që tentoi të nxiste një person që të mos jepte dëshmi para Dhomave të Specializuara përmes premtimit të një përfitimi. Konkretisht, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, me udhëzim të Haxhi Shalës, kontaktuan personin në shtëpinë e tij, përkatësisht më 5 dhe 12 prill të vitit 2023”, thuhet në njoftim.

Zoti Shala ishte arrestuar me 12 dhjetor të vitit 2023, ndërsa Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari ishin arrestuar në tetor të atij viti. Të treve do t’u llogaritet në dënim koha e qëndrmit në paraburgim.

Prokurorja e Specializuar Kimberly West e ka cilësuar pranimin e fajësisë nga tre të akuzuarit si “historik” dhe “me rëndësi thelbësore për mbrojtjen e integritetit të procedurave”, thuhet në një njoftim të prokurorisë.

Në fillim të dhjetorit të vitit 2024, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt e Fadil Fazliut, për përpjekje për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës, si dhe për ish ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, për mosbindje ndaj gjykatës.

Sipas aktakuzës mes të paktën 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të veçanta, zoti Thaçi u ka ofruar zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacione të besueshme për zyrën e prokurorit, dëshmitarët, i udhëzoi ata që të ndikojnë në dëshmitë e dëshmitarëve dhe u ofroi hollësi si ta bëjnë këtë.

Aktakuza pretendon se zoti Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me tre të akuzuarit tjerë si dhe me zotin Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve.

Që të gjithë e kanë deklaruar pafajësinë për akuzat.

Ish presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, tashmë po përballet me dy procese gjyqësore, duke përfshirë edhe atë nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, që filloi në prill të vitit 2023.

Gjykata e Posaçme e njohur si Dhomat e Specializuara, trajton pretendimet për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Themelimi i saj nga parlamenti i Kosovës në gusht të vitit 2015, pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, që përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Por, kjo çështje nuk është përfshirë në asnjë nga akuzat e deritashme ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat