Rreth 210 mijë euro është vlera e gjobave të shqiptuara për partitë politike për shkelje të Kodit të Mirësjelljes. Që nga fillimi i fushatës zgjedhore, PZAP ka marrë mbi 50 vendime dënuese mbi vendosjen e materialit zgjedhor në kundërshtim me ligjin në fuqi. Organizatat që monitorojnë fushatën zgjedhore thonë se Lidhja Demokratike e Kosovës është partia e cila prin me numrin më të madh të rasteve ku ka përdorur hapësirat publike për të vendosur banera dhe postera të partisë.
Hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku thotë se ka raste kur janë shfrytëzuar edhe hapësirat private pa lejen e pronarëve për të vendosur postera.
“Që nga fillimi i fushatës zgjedhore, data 11 janar 2025, është hasur një numër i madh i banerëve apo i posterëve të vendosura nëpër hapësira publike nga ana e subjekteve politike në Kosovë. Aktualisht prin Lidhja Demokratike e Kosovës, është si parti që më së shpeshti i ka përdorur këto hapësira publike për të vendosur banera dhe postera të partisë dhe kandidatëve të tyre në zgjedhjet e datës 9 shkurt. Megjithatë, me gjithë këto vendosje të posterëve, jo vetëm LDK por gjithë subjektet tjera konsideroj që kanë bërë shkelje të rregullave dhe Kodit të Mirësjelljes së fushatës zgjedhore për faktin sepse i kanë shfrytëzuar hapësirat publike në kundërshtim me ligjin dhe madje në disa raste kanë shfrytëzuar hapësirat private pa lejen e pronarëve ku kanë vendosur postera nëpër ndërtesa private”, deklaron Bugaqku.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, siç shton ai, ka nxjerrë mbi 50 vendime dënuese për shkelje të ligjit në fuqi.
“PZAP që nga fillimi i fushatës zgjedhore ka nxjerrë mbi 50 vendime dënuese mbi vendosjen e materialit zgjedhor në kundërshtim me ligjin në fuqi. Ku janë shqiptuar rreth 210 mijë euro gjobë për gjitha subjektet politike të cilat kanë kundërshtuar ligjin apo Kodin e Mirësjelljes”, shton ai.
Viona Bunjaku nga “Lëvizja Fol” thotë se shfrytëzimi i hapësirave publike për të bërë fushatë është shndërruar në “traditë të zgjedhjeve”.
“Shfrytëzimi i hapësirave publike nga partitë politike pothuajse është shndërruar në një traditë të zgjedhjeve dhe të partive politike. Sepse ato vazhdimisht e përsëritin të njëjtin gabim në çdo fushatë zgjedhore. Pra, sa herë që kemi zgjedhje ne shohim billborde dhe të tjera shfrytëzime të hapësirës publike...Tashmë kemi parë që billbordet po vendosen edhe në stacione të autobusëve ku njerëzit presin, normalisht që ajo është një strategji e partisë për ta shfrytëzuar atë pjesë ku e frekuentojnë më shumë qytetarët. Mirëpo, kjo është në kundërshtim me rregullat që vendos edhe Paneli Zgjedhor për Ankesa edhe me dispozitat ligjore që shfrytëzimi i hapësirave publike dhe resurseve publike nuk mund të bëhet gjatë fushatës zgjedhore”, përfundon Bunjaku.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka gjobitur me 12 mijë euro Lidhjen Demokratike të Kosovës për shkak të vendosjes së posterëve të disa kandidatëve në stacionet për pritje të autobusëve.
Gjatë kësaj jave, PZAP ka shqiptuar gjobë edhe ndaj Lëvizjes Vetëvendosje prej 35 mijë euro për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike.